Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Gideon Saar, ka akuzuar të enjten disa zyrtarë evropianë për “nxitje antisemitiste”, të cilat sipas tij, kanë qenë shkaktari i “klimës armiqësore” që rezultoi në vrasjen e dy anëtarëve të stafit të ambasadës së Izraelit në Washington, ka raportuar The Guardian.
Izraeli është përballur me kritika nga liderët evropianë për përshkallëzim të fushatës ushtarake në Rripin e Gazës, ku grupet humanitare kanë paralajmëruar se bllokada 11-javore e ndihmave dhe furnizimeve e ka lënë territorin palestinez në prag të krizës së urisë.
Saar nuk ka përmendur emra të ndonjë shteti apo zyrtari të caktuar, por ka shtuar se klima armiqësore e krijuar ndaj Izraelit, ka qenë faktori kryesor pas vrasjes së Yaron Lischinskyt dhe Sarah Lynn Milgrim në Washington DC të mërkurën.
“Është një vijë direkte që lidh antisemitizmin dhe nxitjen anti-Izrael prapa kësaj vrasje. Kjo nxitje është bërë gjithashtu nga liderë dhe zyrtarë të shumë shteteve dhe organizatave, veçanërisht nga Evropa”, ka thënë Saar.
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe shumë liderë të huaj e kanë dënuar sulmin.
Dy punonjës të Ambasadës izraelite u qëlluan për vdekje jashtë një muzeu hebre në qendër të Washington DC.
Burri dhe gruaja ishin çift dhe u vranë teksa po largoheshin nga një ngjarje e lidhur me ndihmën e banorëve të Gazës në Muzeun Hebre në kryeqytet.
I dyshuari është arrestuar dhe identifikuar nga policia si 30-vjeçari, Elias Rodriguez.
