Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zvogëlohet ndikimi i Francës në Afrikën e goditur nga grusht shtetet

Kur udhëheqësi i kamotshëm i Gabonit u arrestua në grusht shtetin e fundit në Afrikë, javën e kaluar, Franca dënoi marrjen e kontrollit, por bëri pak për të ndërhyrë, pavarësisht se kishte qindra trupa në vend. Kjo po vlerësohet si një shkëputje e Francës nga e kaluara.

Vëzhguesit afrikanë dhe francezë thonë se Franca, nën presion, më në fund po heq traditën e saj postkoloniale të “Françafrique”, term që tregon ndikimin paternalist dhe marrëveshjet. Sipas tyre fuqitë ekonomike të Francës po pakësohen dhe Afrika po është gjithnjë e më e sigurt në vetvete.

Pas ndërhyrjeve të përsëritura ushtarake në ish-kolonitë e saj në dekadat e fundit, epoka e Francës si “xhandar” i Afrikës mund të përfundojë, shkruan AP.

“Në ditët e vjetra të ‘Françafrique’, ky grusht shteti nuk do të kishte ndodhur dhe nëse do të ndodhte, do të përfundonte shpejt”, ka theksuar Peter Pham, ish i dërguar i SHBA-së për rajonin e Sahelit të Afrikës, derisa ka folur për heshtjen e Francës ndaj grusht shtetit në Gabon.

Mosveprimi francez edhe në grusht shtetin në Niger tregon qartë se kohët kanë ndryshuar. Gaboni ishte për një kohë të gjatë pjesa qendrore e sistemit të vjetër komod postkolonial.

Në tri vjetët e fundit, një fije e përbashkët ka lidhur grushtet shtetet në katër vende afrikane: të gjitha dikur ishin koloni franceze.

Edhe Franca dënon grusht shtetin në Gabon Botë Franca dënon grusht shtetin në Gabon

Disa, siç ishte Gaboni, kishin marrëdhënie të ngrohta të vazhdueshme me Francën. Presidenti i Gabonit , Ali Bongo Ondimba, familja e të cilit ka sunduar vendin e vogël të pasur me naftë për më shumë se 50 vjet, u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron, në qershor të këtij viti në Paris.

Për dekada pas dekolonizimit, Franca vazhdoi të tërhiqte fije dhe të kishte përfitime nga Afrika. Nganjëherë, ndikimi i ashpër zgjonte reagimet e opozitës, por udhëheqësit e mbështetur nga Franca shpesh ktheheshin në pushtet.

Ndikimi i Francës tani po zbehet. Macron vitin e kaluar tërhoqi trupat franceze nga Mali pas tensioneve me juntën në pushtet pas një grushti shteti në vitin 2020. Trupat franceze janë tërhequr së fundi edhe nga Burkina Faso për arsye të ngjashme. Të dyja vendet afrikane kishin kërkuar që forcat franceze të largoheshin.