Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rritet pakënaqësia ndaj francezëve në Afrikë

Franca ka tërhequr ushtrinë nga Nigeri pasi i ishte kërkuar nga junta ushtarake, duke i dhënë fund përkrahjes disavjeçare të shtetit afrikan, por ka nxitur shqetësime se do të shpërthejë lufta me xhihadistët në rajonin e Sahelit.

Ushtarët e fundit francezë janë larguar më 22 dhjetor, afati i fundit i caktuar nga junta që ka shkëputur marrëdhëniet me Parisin pas grusht shtetit në muajin korrik. Franca gjatë javës kishte konfirmuar se do të mbyllte misionin diplomatik në Niger për periudhë të pacaktuar. Mirëpo ushtria franceze do të vazhdojë të jetë e përfshirë në Sahel, që është epiqendër e dhunës ekstremiste.

Junta ushtarake fundin e bashkëpunimit ushtarak me Francën e ka cilësuar si periudhë të re për nigerianët. Mirëpo analistët perëndimorë janë të shqetësuar se do të krijohet vakumi pas largimit të ushtrisë franceze. 1 mijë e 500 ushtarë francezë po stërvitnin ushtrinë lokale në Niger, e cila ishte e angazhuar në luftën kundër grupeve xhihadiste.

Pakënaqësia ndaj Francës është rritur edhe në Mali dhe Burkina Faso. Dy shtetet e drejtuara nga juntat kanë detyruar largimin e ushtrisë franceze.