Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësim të thellë për grusht shtetin në Gabon dhe kanë bërë thirrje për lirimin e zyrtarëve qeveritarë.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga zhvillimi i ngjarjeve në Gabon. Ne mbetemi fuqishëm kundër metodave ushtarake ose ndërrimeve antikushtetuese të pushtetit”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në një deklaratë.
“Ne u bëjmë thirrje personave përgjegjës që të lirojnë dhe të sigurojnë anëtarët e qeverisë dhe familjeve të tyre dhe të ruajnë sundimin civil”, ka thënë ai.
SHBA-ja gjithashtu u bëri thirrje të gjithë akterëve që të tregojnë përmbajtje dhe respekt për të drejtat e njeriut dhe t'i adresojnë shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore përmes dialogut pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve.
“Ne gjithashtu vërejmë me shqetësim mungesën e transparencës dhe raportet e parregullsive që lidhen me zgjedhjet. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah popullit të Gabonit”, ka thënë Miller.
Grusht shteti në Gabon pasoi shpalljen e rezultateve zyrtare që tregonin se presidenti Ali Bongo fitoi mandatin e tretë.
Ushtria, megjithatë, njoftoi anulim të rezultateve dhe shpërbërjen e institucioneve të vendit mes raporteve për të shtëna me armë zjarri në kryeqytetin Libreville.
Gaboni është vendi i fundit në Afrikë që përjeton grusht shtet pasi anëtarët e ushtrisë së Nigerit morën pushtetin në fund të muajit të kaluar.