Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zjarri në kazermë vret 15 ushtarë në Armeni

Të paktën 15 ushtarë kanë vdekur dhe tre janë plagosur rëndë në një zjarr në një kazermë në Armeninë lindore, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes të enjten, transmeton BBC.

“Sipas informacioneve fillestare, 15 ushtarë vdiqën për shkak të zjarrit që shpërtheu në departamentin e inxhinierisë dhe snajperëve. Gjendja e tre ushtarëve të tjerë është e rëndë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Ministrisë, zjarri ka rënë të enjten në orët e para të mëngjesit në fshatin Azat të krahinës së Gegharkunikut dhe ende nuk dihet shkaku.

Armenia, një vend kaukazian me tre milionë banorë, po rikuperohet nga disfata e rëndë e pësuar në luftën e vitit 2020 kundër Azerbajxhanit fqinj dhe nga kriza politike që pasoi. Pavarësisht se luftimet kanë përfunduar, tensionet vazhdojnë ende mes dy vendeve fqinje, ish-komponentëve të ish-Bashkimit Sovjetik.

Tensionet e fundit këto ditë kanë të bëjnë me bllokadën e Korridorit të Laçinit, i cili lidh Armeninë me rajonin e Nagorno-Karabakut, i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por i kontrolluar nga minoriteti etnik armen, me ndihmën e Armenisë.