1,7 milionë votues sllovenë votojnë të dielën (03.06) për parlamentin e ri slloven. Sipas të gjitha sondazheve, partia opozitare konservatore, SDS del fituese. Në një analizë të agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, për zgjedhjet në Slloveni, theksohet debati në vend për rrezikun e “orbanizimit”.
Kreu i qeverisë hungareze, Viktor Orban ka marrë pjesë në fushatën zgjedhore të demokratëve konservatorë sllovene, SDS. Ai ka qenë i ftuar nga partia sllovene, si idol i kreut të partisë SDS, Janez Jansa. Politikanët e qendrës dhe të majtë nuk lodhen me paralajmërimet për një “orbanizim” të Sllovenisë, transmeton DW.
Orban me konceptin e tij të “demokracisë iliberale” do t’u mësojë sllovenëve mbrojtjen pa kompromis nga refugjatët, luftën kundër shoqërisë civile dhe pengimin e punës së organizatave jo-qeveritare, thekson dpa. Kështu një kryetar i mundshëm i një qeverie konservatore, Janez Jansa do ta afronte Slloveninë me vendet e Vishegradit. Që tani shtetet e bashkuara aty, Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria i shkaktojnë dhimbje koke Brukselit. E tronditur partia Desus pjesëmarrëse në qeveri paralajmëron sllovenët nga një “model hungarez”.
Fitues pa partnerë?
Programi për politikën e brendshme i partisë konservatore, SDS duket se pritet mirë nga shumë votues sllovenë: ulje tatimesh, reduktim i burokracisë shtetërore, ndalim i mbulimit të fytyrës.
Por Jansa (që ka qeverisur në vitet 2004-2008 dhe 2012-2013) duket se ka për të pasur vështirësi në gjetjen e një partneri për krijimin e koalicionit qeverisës. Sepse shumica e partive, sipas gazetës më të rëndësishme sllovene “Delo”, kanë tradicionalisht një “refleks anti Jansa”.
Edhe
Sllovenia gati për bisedime koalicioni pas zgjedhjeve me rezultat të ngushtë
59 vjeçari është një figurë e kontestuar që nga fillimet e pavarësisë së Sllovenisë dhe ka luajtur një rol në disa afera korrupsioni si në blerjen e disa armatimeve ushtarake apo shitjen e truallit.
Gazeta sllovene “Dnevnik” shikon politikanin e ri, Marjan Sarec si “kurorëzues”, pra që mund të ketë një rol të rëndësishëm në krijimin e koalicionit të ardhshëm. Ekspertët janë të mendimit, se 40 vjeçari, ish-komedian dhe kryetar bashkie me qëndrim të majtë e të qendrës, mund të kapë vendin e dytë me 16% të votave. Në vendin e tretë sondazhet nxjerrin socialdemokratët me 14% dhe në vend të katërt partinë e kryetarit aktual të qeverisë, Miro Cerar, SMC.
Krijimi i qeverisë sllovene këtë herë duket se nuk ka për të qenë i lehtë.