Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zelensky falënderon amerikanët në takimin me Bidenin

Zelensky nisi udhëtimin drejt Amerikës pas udhëtimit të rrezikshëm që bëri të martën në një prej zonave më të rrezikshme në frontin e gjatë të luftës prej 1 mijë e 300 kilometrave. Ai ishte në Bakhmut, në provincën Donetsk. Ai ka lavdëruar ushtarët ukrainas për “kurajën dhe fuqinë” teksa artileria ruse godiste gjithkund

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka lënë anash luftën për të vizituar Washingtonin të mërkurën, për të falënderuar liderët dhe “amerikanët e zakonshëm” për përkrahjen e tyre në luftën e ukrainasve kundër pushtimit rus.

Në takimin me presidentin amerikan, Joe Biden, lideri ukrainas ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të vazhdojnë me ndihmat në muajt brutalë që po i pret Ukraina. Presidenti Biden dhe Kongresi kanë reaguar me miliarda dollarë asistencë dhe janë shprehur se do ta ndihmojnë Ukrainën në kërkim të “paqes”.

Bideni ka mirëpritur Zelenskyyn në Zyrën Ovale duke thënë se SHBA-ja dhe Ukraina do të vazhdojnë projektin për “mbrojtje të bashkuar” teksa Rusia po e vazhdon sulmin brutal për ta fshirë nga faqja e dheut Ukrainën.

Zelenskyy, për të cilin ishte udhëtimi i parë jashtë shtetit qëkur Rusia nisi pushtimin në muajin shkurt, ka thënë se donte të vinte më herët dhe se vizita tani tregon se “situata është nën kontroll, për shkak të përkrahjes amerikane”.

Udhëtimi shumë i ndjeshëm është realizuar pas 10 muajsh të luftës brutale që ka lënë mijëra të vdekur dhe ka shkatërruar jetën për civilët ukrainas. Pak para arritjes së Zelenskyyt, SHBA-ja ka njoftuar dërgesën më të madhe të armatimit, përfshirë raketat tokë-ajër të njohura si “Patriot”, ndërkaq Kongresi ka votuar për pakon shpenzuese që përfshijnë rreth 45 miliardë dollarë të asistencës emergjente për Ukrainën.

Edhe Zhgënjim në Kiev pasi Zelenksy lë Shtëpinë e Bardhë duarbosh Botë Zhgënjim në Kiev pasi Zelenksy lë Shtëpinë e Bardhë duarbosh

Bideni ka thënë se Rusia është “duke e përdorur dimrin si armë, por ukrainasit do të vazhdojnë të frymëzojnë botën”. Ai i ka thënë Zelenskyyt se e ka për nder që po qëndron përkrah tij.

Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, Zelenskyy dhe Bideni kanë mbajtur konferencën për media. Ndërkaq pas vizitës në Shtëpinë e Bardhë, presidenti ukrainas ka mbajtur fjalim në Kongres, në të cilin ka marrë pjesë edhe zëvendëspresidentja Kamala Harris.

Zelenskyy nisi udhëtimin drejt Amerikës pas udhëtimit të rrezikshëm që bëri të martën në një prej zonave më të rrezikshme në frontin e gjatë të luftës prej 1 mijë e 300 kilometrave. Ai ishte në Bakhmut, në provincën Donetsk. Ai ka lavdëruar ushtarët ukrainas për “kurajën dhe fuqinë” teksa artileria ruse godiste gjithkund.

Detajet se si dhe kur ka nisur udhëtimin nuk janë bërë publike për shkak të sigurisë, mirëpo mediat polake kanë publikuar momentin kur Zelenskyy ka zbritur nga treni në territorin polak.

Zyrtarët amerikanë, duke përmendur shqetësimet për sigurinë, nuk kanë folur shumë për planet e udhëtimit të Zelenskyyt, por zyrtarët e lartë kanë konfirmuar se ai ka arritur me një aeroplan “Air Force” që ka aterruar në Joint Base Andrews, në periferi të Washingtonit.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në ftesën e saj për Zelenskyyn për të folur para kongresistëve ka thënë se “lufta për Ukrainën është lufta për vetë demokracinë” dhe se ata po prisnin “të dëgjonin mesazhin tuaj frymëzues të unitetit, qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë”.

Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas e kanë bërë të qartë se nuk parashikojnë zgjidhje të afërt të luftës dhe po përgatiten që luftimet të vazhdojnë për ca kohë. Infuzioni i fundit i parave të SHBA-së do të ishte më i madhi deri më tani – dhe do të tejkalonte kërkesën prej 37 miliardë dollarësh që bëri Bideni.

Bideni ka përsëritur se ndërsa SHBA-ja do të armatosë dhe stërvit Ukrainën, forcat amerikane nuk do të përfshihen drejtpërdrejt në luftë.

Bideni dhe Zelenskyy së pari diskutuan idenë e vizitës gjatë një telefonate më 11 dhjetor, me një ftesë zyrtare pas tri ditësh, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane. Zelenskyy e pranoi ftesën të premten dhe ajo u konfirmua të dielën, kur Shtëpia e Bardhë filloi koordinimin me Pelosin për të rregulluar fjalimin e Kongresit.

Shtëpia e Bardhë u konsultua me Zelenskyyn për sigurinë, duke përfshirë rrezikun e veprimeve ruse teksa ai ishte për pak kohë jashtë vendit, ka thënë zyrtari, i cili nuk pranoi të detajonte masat e marra për të mbrojtur liderin ukrainas. Zyrtari i informoi gazetarët në kushtet e anonimitetit për shkak të natyrës së ndjeshme të vizitës.

Sistemi “Patriot”

Pakoja e ndihmës ushtarake prej 1.85 miliardë dollarësh do të përfshijë për herë të parë sistemin raketor “Patriot” dhe bomba të drejtuara me saktësi për avionët e saj luftarakë, kanë njoftuar zyrtarët amerikanë. Pakoja përfaqëson zgjerim në llojet e armatimeve të avancuara që synojnë të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës kundër asaj që ka qenë breshëri në rritje e raketave ruse.

Edhe Zelensky në SHBA për takimin e rëndësishëm me Trumpin Botë Zelensky në SHBA për takimin e rëndësishëm me Trumpin

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se dorëzimi i sistemit të avancuar të raketave tokë-ajër do të konsiderohej hap provokues dhe se sistemi dhe çdo ekuipazh që e shoqëronte do të ishte cak legjitim për ushtrinë e Moskës.

Ishte e paqartë se kur do të mbërrijë në vijën e frontit sistemi raketor “Patriot”, duke pasur parasysh se trupat amerikane do të duhej të trajnonin forcat ukrainase. Trajnimi mund të zgjasë disa javë dhe pritet të kryhet në Gjermani.

Vizita vjen në një moment të rëndësishëm, me Shtëpinë e Bardhë që po përgatitet për rezistencë më të madhe kur republikanët të marrin kontrollin e Dhomës në janar dhe t'i japin më shumë vëmendje ndihmës për Ukrainën. Udhëheqësi i republikanëve, Kevin McCarthy, ka thënë se partia e tij nuk do të shkruajë “çekun e bardhë” për Ukrainën.

Biden dhe Zelenskyy kanë biseduar shpesh me telefon, me Bidenin që ka lavdëruar Ukrainën për qëndrimin e palëkundur kundër rusëve dhe Zelenskyy duke falënderuar presidentin amerikan për mbështetjen.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, hapi seancën e Dhomës së Përfaqësuesve duke thënë se miratimi i pakos së ndihmës dhe konfirmimi i ambasadores së re të SHBA në Rusi, Lynne M. Tracy, do të dërgonte sinjal të fortë se amerikanët qëndrojnë “pa mëdyshje” me Ukrainën. Tracy u konfirmua më vonë me një votim 93-2.

Schumer, demokrat nga Nju-Jorku, ka thënë se Zelenskyy vjen jo vetëm si president, por edhe si “ambasador i vetë lirisë”.

Lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, ka thënë se “arsyet më themelore për të vazhduar për të ndihmuar Ukrainën, për të degraduar dhe mposhtur pushtuesit rusë janë interesat e ftohta, të vështira dhe praktike amerikane”. Ai ka shtuar se mposhtja e agresionit të Rusisë do të ndihmojë në parandalimin e krizave të mëtejshme të sigurisë në Evropë.

Pushtimi i Rusisë, i cili filloi më 24 shkurt, ka humbur vrullin. Rajonet e aneksuara ilegalisht të Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia mbeten të kontestuara ashpër.

Me luftimet në lindje në ngërç, Moska ka përdorur raketa dhe dronë për të sulmuar infrastrukturën e energjisë të Ukrainës, duke shpresuar që t'i lërë njerëzit pa energji elektrike, në motin e akullt.

Rëndësia e vizitës

Në një video të publikuar nga zyra e tij nga vizita në Bakhmut, Zelenskyyt i dorëzua një flamur ukrainas i nënshkruar dhe aludohej për dorëzimin e tij tek liderët e SHBA-së. “Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre, por kjo nuk është e mjaftueshme”, ka thënë ai. “Është një aluzion - nuk mjafton”.

Volodymyr Fesenko, kreu i institutit të mendimit Penta Center me bazë në Kiev, ka theksuar se vizita e Zelenskyyt në SHBA "duhet të përcaktojë rrjedhën e luftës - Zelenskyy për herë të parë guxoi të largohej nga Ukraina dhe po mbështetet të jetë në gjendje të mbajë dhe ndoshta edhe të forcojë ndihmën ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së”.

Edhe Zelensky ia prezanton Bidenit “planin e fitores” Botë Zelensky ia prezanton Bidenit “planin e fitores”

Hanna Danylovych, 43, e cila jeton në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës, dhe punon si shkencëtare, mirëpriti mundësinë e furnizimeve shtesë ushtarake, duke thënë se “ekziston një dëshirë dhe ëndërr e madhe për të shpejtuar largimin e së keqes ruse nga toka jonë”.

Presidenti rus Vladimir Putin të mërkurën u ka thënë udhëheqësve ushtarakë të vendit të tij se Rusia do të arrijë qëllimet e saj të deklaruara në Ukrainë dhe do të përdorë përvojën luftarake për të forcuar ushtrinë e saj. Ministri i tij i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se ushtria ruse duhet të zgjerohet nga 1 milion në 1.5 milionë gjatë luftimeve në Ukrainë.