Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vendosur kushtet e tij për të vazhduar negociatat me Rusinë. Ai në një intervistë për “CNN” dhe “Reuters” ka thënë se forcat ruse duhet të ndalojnë bombardimin e njerëzve para se të fillojnë bisedimet për armëpushim.
“Është e nevojshme së paku të ndalohet bombardimi i njerëzve. Thjeshtë ndaloni bombardimet e më pas ulemi në tavolinë të negociatave”, tha Zelensky.
Mediumet ruse kanë njoftuar pak çaste më parë se raundi i radhës i bisedimeve do të mbahet nesër.
Zelensky në anën tjetër i ka bërë thirrje shteteve anëtare të NATO-s që të vendosin zona ndalimi të fluturimit, për të ndaluar forcat ajrore ruse.
“Nuk ka të bëjë me tërheqjen e shteteve anëtare të NATO-s në luftë. E vërteta është se të gjithë për një kohë të gjatë janë tërhequr në luftë dhe definitivisht jo nga Ukraina, por nga Rusia. Po zhvillohet një luftë e shkallës së madhe.
Sa i përket anëtarësimit në NATO, Zelensky ka shtuar: “Partnerët tanë, nëse ata nuk duan të pranojnë Ukrainën në NATO pasi që Rusia nuk do që Ukraina të jetë në NATO, atëherë së paku duhet të gjejnë një garanci të përbashkët të sigurisë për Ukrainën. Kjo nënkupton që ne të kemi integritet territorial, që kufijtë tanë të jenë të mbrojtur, të kemi marrëdhënie të veçantë me gjithë fqinjët tanë, që jemi plotësisht të sigurt, dhe garantuesit që na ofrojnë siguri ë garantojnë këtë ligjërisht”, tha Zelensky.