Botë

Zelensky: Rusia po jep sinjale se nuk e dëshiron fare fundin e luftës

zel

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të enjten se sjellja e Rusisë pas samitit të mbajtur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Alaskë javën e kaluar, dhe bisedimeve të nivelit të lartë në Washington ndërmjet liderëve evropianë dhe presidentit amerikan, Donald Trump, është sinjal i qartë se Kremlini zyrtar s’e ka fare ndërmend të negociojë marrëveshjen për fundin e luftës.

“Tani, sinjalet që po vijnë nga Rusia janë skandaloze”, ka thënë Zelensky, pas përshkallëzimit të sulmeve ajrore nga Rusia.

“Ata po e shmangin mbajtjen e një takimi. Ata s’duan që t’i japin fund luftës”.

Forcat Ajrore të Ukrainës kishin njoftuar të enjten se Rusia ka lëshuar rreth 574 dronë dhe 40 raketa në disa rajone të vendit, duke shkaktuar viktima dhe duke dëmtuar rëndë infrastrukturën civile.

Sipas Kievit zyrtar, sulmi më i fundit i Rusisë, më i madhi për këtë muaj, ka ndodhur disa ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e ka pritur Zelenskyn dhe liderët e tjerë evropianë në kuadër të samitit shumëpalësh në Shtëpinë e Bardhë, me qëllimin për të shtyrë përpara procesin e paqes.

Lideri ukrainas kishte thënë më herët gjatë ditës së enjte se aleatët perëndimorë duhet të bien dakord brenda 7-10 ditësh, sa i përket planit konkret mbi garancitë e sigurisë që do t’i ofrojnë Ukrainës.

Trumpi e ka përjashtuar mundësinë për dislokimin e trupave amerikane në tokën e Ukrainës, mirëpo ka shtuar se Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje ajrore si pjesë e marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës.

Mbështetja ajrore mund të marrë shumë forma, të tilla si sistemet mbrojtëse nga raketat, dronët ose avionët luftarakë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka konfirmuar se mbështetja ajrore amerikane po konsiderohet si “mundësi”, ndonëse nuk ka dhënë asnjë detaj.

“Presidenti ka deklaruar përfundimisht se çizmet amerikane nuk do të jenë në terren në Ukrainë, por ne sigurisht që mund të ndihmojmë në koordinim dhe ndoshta të ofrojmë mjete të tjera për aleatët tanë evropianë”, kishte thënë ajo gjatë një konference për shtyp.