Botë

Zelensky: Rusia po e saboton takimin ndërmjet meje dhe Putinit

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka akuzuar të premten Rusinë se “po bën gjithçka që mundet” për ta penguar takimin mes tij dhe homologut rus, Vladimir Putin, në kuadër të procesit diplomatik që ka për synim fundin e luftës në Ukrainë.

E këto komente të tij, janë bërë në të njëjtën ditë me deklaratën e lëshuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili ka theksuar se Putini e Zelensky janë sikurse “vaji me uthullën”, gjë që nënkupton se “nuk shkojnë mirë së bashku”.

Ndërkaq, kryediplomati rus, Sergei Lavrov, ka njoftuar se Putini është i gatshëm të takohet me liderin ukrainas “kur të jetë gati agjenda e samitit”, porse siç ka thënë ai, kjo agjendë s’është fare në horizont, ka raportuar BBC.

Pas një jave të karakterizuar nga përpjekjet diplomatike të nivelit të lartë, gjatë së cilës Trumpi ishte takuar fillimisht me Putinin në Alaskë dhe më pas me Zelenskyn e liderët e tjerë evropianë në Washington, presidenti amerikan ka bërë të ditur se kjo luftë po rezulton të jetë më e vështira që ka provuar ndonjëherë ta ndalojë.

Trumpi kishte thënë pas telefonatës të zhvilluar të hënën me udhëheqësin rus, se përgatitjet për samitin Putin-Zelensky veçse kishin filluar.

Zelensky, nga ana tjetër, e ka mbështetur këtë nismë, mirëpo ka kërkuar garanci të sigurisë nga aleatët perëndimorë për të parandaluar çdo sulm të ardhshëm nga Rusia në rast se arrihet marrëveshja për paqen.

“Ukraina, ndryshe nga Rusia, nuk ka frikë nga asnjë takim mes liderësh”, ka shtuar ai.

Gjatë një vizite në Kiev, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Trumpi po synon ta “thyejë ngërçin” dhe se aleanca ushtarake po punon për garanci të fuqishme të sigurisë me SHBA-në dhe Evropën për t’u siguruar që Rusia “të mos përpiqet më kurrë ta sulmojë Ukrainën”.