Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mohuar pretendimet ruse se Ukraina ishte përfshirë në një sulm me dron në Kremlin që synonte ta vriste presidentin rus Vladimir Putin, shkruan BBC.
“Ne nuk po sulmojmë Putinin apo Moskën, ne po luftojmë në territorin tonë”, ka thënë Zelensky.
Ai shtoi se shqetësimi i tij i vetëm është të mbrojë qytetet dhe fshatrat e Ukrainës nga pushtimi rus.
Kremlini ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se ukrainasit kanë tentuar të sulmojnë me dronë rezidencën e presidentit të Federatës Ruse.
Moska deklaroi se i konsideron këto veprime si një akt të planifikuar terrorist dhe një përpjekje për të sulmuar Putinin, i cili u krye në prag të Ditës së Fitores, 9 maj, në të cilën janë planifikuar të marrin pjesë edhe mysafirë të huaj.