Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se ushtria ruse po përgatitet për sulme të tjera ndaj sektorit energjetik, duke thënë se “s’ka shenjë që dikush në Moskë është gati t’i japë fund luftës”.
Zelensky njoftoi të dielën në rrjetin social X se ka zhvilluar një takim me ushtrinë dhe shërbimin e sigurisë së Ukrainës, derisa shtoi se ka informacione për planifikim të sulmeve të reja nga Rusia.
“Rusia po planifikon sulme të tjera ndaj sektorit tonë energjetik – sulme që mund të jenë më pak të dukshme për botën në këtë moment, pasi e tërë vëmendja është përqendruar në situatën në Lindjen e Mesme. Shërbimet partnere të inteligjencës disponojnë të dhënat përkatëse. Informacione specifike mbi kërcënimin rus ndaj infrastrukturës bërthamore të Ukrainës janë përcjellë nga ministri ynë i Energjisë tek Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) dhe z. Witkoff. Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës i ka transmetuar informacionin homologut të tij amerikan”, ka thënë Zelensky.
Presidenti i Ukrainës shtoi se pavarësisht premtimeve të presidentit rus, Vladimir Putin, Rusia vazhdon të godasë objekte civile dhe ato të energjisë në Ukrainës.
“Kjo formë terrori po bëhet gjithnjë e më e fshehtë dhe e pabesë. Nuk ka asnjë shenjë që dikush në Moskë po përgatitet t’i japë fund luftës apo ta marrë seriozisht diplomacinë”, tha ai.