Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, në fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të mërkurën, ka thënë se nuk ka garanci tjetër pos miqve dhe armëve në ditët e sotme.
“Të dashur udhëheqës, miq të dashur dhe të gjithë ata që mund të bëhen miqtë tanë sepse ju dëshironi siguri dhe paqe po aq sa ne sot. Askush përveç vetes nuk mund ta garantojë sigurinë. Vetëm aleanca të forta, vetëm partnerë të fortë dhe vetëm armët tona. Shekulli i 21-të nuk është shumë i ndryshëm nga e kaluara. Nëse një komb dëshiron paqe, ai prapë duhet të punojë me armët. Jo ligji ndërkombëtar, jo bashkëpunimi - por armët vendosin se kush mbijeton”, ka thënë ai në hyrje të fjalimit.
Sipas Zelenskyt, as ligji ndërkombëtar nuk funksionon si duhet pa miq të fuqishëm.
“E dini shumë mirë, ligji ndërkombëtar nuk funksionon plotësisht nëse nuk keni miq të fuqishëm që janë vërtet të gatshëm ta mbrojnë atë. Dhe as kjo nuk funksionon pa armë. Është e tmerrshme, por pa to, gjërat do të jenë edhe më keq. Nuk ka garanci sigurie përveç miqve dhe armëve”, ka shtuar presidenti ukrainas.
