Botë

Zelensky i akuzon aleatët për humbje kohe

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar aleatët perëndimorë se po humbin kohë duke mos i vënë sanksione të reja Rusisë, për refuzimin për takim me palën ukrainase. Ai ka thënë se të njëjtën kërkesë do t’ia bëjë edhe presidentit amerikan, Donald Trump, kur ta takojë javën që vjen në New York.

Zelensky ka thënë se pret që të vendosen sanksione të tjera nëse Vladimir Putini nuk pranon të takohet me të për bisedime ballë për ballë ose të pranojë një armëpushim. “Nëse lufta vazhdon dhe nuk ka hapa drejt paqes, ne presim sanksione”, ka thënë ai.

Trump ka kërcënuar disa herë se do të veprojë ndaj Rusisë, por deri tani nuk ka marrë masa konkrete. Javën e kaluar, ai qe shprehur se SHBA-ja është gati të vendosë “sanksione të mëdha” - por vetëm nëse të gjitha vendet e NATO-s ndalojnë së bleri naftë nga Rusia dhe vendosin tarifa ndaj Kinës, një tjetër blerës i madh.

Duke folur për gazetarët në Kiev, Zelensky ka shprehur zhgënjim për ritmin e ngjarjeve.

“Presidenti Trump pret veprime të forta nga Evropa. Mendoj se po humbim shumë kohë nëse sanksionet nuk vendosen ose nuk ndërmerren hapa që ne i presim prej tij”, ka thënë Zelensky në zyrën e tij presidenciale.

Aleatët e afërt të Trumpit, Hungaria dhe Sllovakia, kanë refuzuar të ndërpresin lidhjet energjetike me Rusinë. Ato janë dy vendet e fundit të Bashkimit Evropian që vazhdojnë të blejnë naftë ruse përmes tubacionit Druzhba. Ukraina e bombardoi këtë tubacion muajin e kaluar, duke shkaktuar reagim të ashpër nga kryeministri hungarez, Viktor Orbán.

Zelensky ka thënë se dëshiron që “e gjithë Evropa” të vendosë sanksione. Ai ka shtuar se Trump mund “të shtyjë” vendet evropiane të bëjnë më shumë dhe se qeveria pro-ruse e Sllovakisë mund të ndikohet nga presioni amerikan. “Të gjithë i kanë sytë kah Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.

Ai ka përsëritur se është i gatshëm të takohet me Putinin në çdo format - ose vetëm, ose në prani të presidentit amerikan. Kremlini zyrtar pretendon se “shkaqet rrënjësore” të konfliktit duhet të zgjidhen më parë që një takim i tillë të ndodhë, duke iu referuar dorëzimit të Ukrainës.

Gjatë vizitës në New York, Zelensky do të kërkojë sqarim mbi çfarë garancish sigurie SHBA-ja është e gatshme të japë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje. Ai ka thënë se kryeministri britanik Keir Starmer e kishte ngritur këtë pyetje me Trumpin gjatë vizitës shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjatë bisedimeve që patën të enjten në Chequers.

Zelensky ka thënë se gruaja e tij, Olena, “me shumë mundësi” do të takohet me Melania Trumpin. Ato do të diskutojnë për kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia. Zonja e Parë e SHBA-së shihet gjerësisht si më mbështetëse ndaj Ukrainës sesa presidenti, i cili e kishte kritikuar Zelenskyn gjatë takimit të tyre në shkurt në Zyrën Ovale.

Takimi i fundit në Shtëpinë e Bardhë në gusht ishte më i suksesshëm, me disa liderë evropianë, përfshirë edhe Starmerin, që u bashkuan për bisedime me Zelenskyyn. Takimi i ardhshëm bilateral zhvillohet në një kohë kur Rusia po kryen veprime provokuese në Evropë, përfshirë shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë të premten nga tre avionë luftarakë rusë.

Zelensky ka thënë se Ukraina po përdor gjithnjë e më shumë dronë me rreze të gjatë për të goditur objektet energjetike të armikut, të cilat furnizojnë makinerinë ushtarake të Rusisë. Të shtunën herët në mëngjes, dronët goditën për herë të dytë brenda një jave rafinerinë e naftës në Saratov. Një tjetër sulm dëmtoi një rafineri në rajonin Samara.

Presidenti ukrainas parashikoi se kriza e karburantit në Rusi, e cila ka shkaktuar radhë të gjata për benzinë në disa zona të vendit, do të përkeqësohet.

Gjatë natës, edhe Rusia kreu një sulm të madh me dronë dhe raketa balistike ndaj Ukrainës. Të paktën tre persona u vranë kur një raketë me municione kasetore goditi një ndërtesë banimi në qytetin Dnipro. Rajone të tjera të goditura përfshinin Mykolaivin, Chernihivin dhe Zaporizhzhian, sipas zyrtarëve.

Duke shkruar në rrjetet sociale, Zelensky ka thënë se Kremlini nuk po godet objekte ushtarake, por po ndjek një “strategji të qëllimshme” për të terrorizuar civilët dhe për të dëmtuar infrastrukturën.