Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte deklaruar një ditë më parë se nuk do të merrte pjesë në Forumin Ekonomik Botëror vjetor në Davos dhe se do të qëndronte në Kiev për t’u përqendruar në krizën energjetike në Ukrainë, ku sulmet ajrore ruse ndaj infrastrukturës elektrike kanë lënë pjesë të mëdha të kryeqytetit dhe rajone të tjera pa energji elektrike.
Zelensky kishte thënë se do të udhëtonte drejt Davosit vetëm nëse do të ekzistonte mundësia për të nënshkruar një marrëveshje me Trumin për zgjidhjen e luftës gati katërvjeçare, e cila do të përfshinte garanci sigurie dhe financim për rindërtimin e Ukrainës pas luftës.
Megjithatë, të mërkurën Trumpi ka njoftuar se do të takohej me liderin ukrainas në Davos. Zëdhënësi i Zelenskyt ka thënë në një deklaratë se lideri ukrainas do të takohej me Trumpin në orën 13:00 sipas kohës lokale, përpara se të mbajë një fjalim në orën 14:30.
Ndërkohë, Witkoff ka zhvilluar ditët e fundit bisedime me zyrtarë ukrainas në Davos, pas diskutimeve të fundjavës në Florida.
Ai pritet të udhëtojë në Moskë më vonë gjatë së enjtes, së bashku me të dërguarin tjetër amerikan, Jared Kushner, për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, mbi një plan të mundshëm për t’i dhënë fund konfliktit, më vdekjeprurësin në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kremlini ka thënë se takimi i Putinit me Witkoff dhe Kushner do të zhvillohet pas orës 19:00–20:00 sipas kohës së Moskës.