Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, e ka quajtur Tajvanin “çështjen më të rëndësishme” në marrëdhëniet Kinë–SHBA gjatë një telefonate me presidentin amerikan, Donald Trump, të mërkurën.
Xi i ka kërkuar Trumpit të tregojë “kujdes” kur furnizon ishullin me armë, kanë raportuar mediat shtetërore, duke shtuar se ai “i kushton rëndësi të madhe” marrëdhënieve me Uashingtonin dhe shpreson që të dyja palët të gjejnë mënyra për t'i tejkaluar dallimet mes tyre.
Ndërkohë Trumpi e ka përshkruar telefonatën si “të shkëlqyer” dhe “të gjatë e të detajuar”.
Ata kanë biseduar në telefon pas një vale vizitash nga udhëheqës perëndimorë, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer, në Kinë muajt e fundit, me shpresën për të rikthyer marrëdhëniet me ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Vetë Trumpi pritet të vizitojë Kinën në prill, një udhëtim për të cilin ai thotë se “e pret me shumë kënaqësi”.
“Marrëdhënia me Kinën, dhe marrëdhënia ime personale me presidentin Xi, është jashtëzakonisht e mirë, dhe ne të dy e kuptojmë sa e rëndësishme është ta ruajmë atë”, ka shkruar ai në një postim në Truth Social.
Dy udhëheqësit kanë folur për herë të fundit në telefon në nëntor për një sërë çështjesh, përfshirë tregtinë, pushtimin e Ukrainës nga Rusia, fentanilin dhe Tajvanin, sipas Trumpit dhe ministrisë së Jashtme të Kinës.
Sa i përket Tajvanit, Xi raportohet të ketë thënë se ishulli i vetëqeverisur është “territor i Kinës” dhe se Pekini “duhet të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial (të Tajvanit)”
“Shtetet e Bashkuara duhet ta trajtojnë me kujdes çështjen e shitjes së armëve Tajvanit”, ka paralajmëruar ai, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua.
Kina ka premtuar prej kohësh se do të “ribashkohet” me Tajvanin dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta arritur këtë.
E SHBA-ja prej dekadash ka ndjekur një diplomaci të kujdesshme. Ajo mbetet një aleat i fuqishëm i Tajvanit dhe furnizuesi më i madh i armëve për ishullin.
Në dhjetor, administrata Trump njoftoi një shitje të madhe armësh për Tajvanin me vlerë rreth 11 miliardë dollarësh e cila përfshinte sisteme të avancuara raketore.