Dy oficerë të policisë bullgare kanë vdekur herët të enjten, teksa u përpoqën të ndalonin një autobus me emigrantë që kishin hyrë ilegalisht në vend, tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme të Bullgarisë.
Incidenti ndodhi në mëngjes, në orën 5:00, në qytetin Burgas, pasi autobusi refuzoi të ndalonte në dy pika të njëpasnjëshme të policisë kufitare, u tha gazetarëve Stanimir Stanev, raportoi Associated Press të enjten.
Autobusi me targa turke mbante 47 emigrantë, kombësia e të cilëve nuk është bërë e ditur.
Autobusi kishte hyrë në një zonë të banuar kur oficerët e policisë ndaluan makinën e tyre përpara tij.
Autobusi përplasi automjetin e policisë dhe më pas kaloi mbi të përpara se të përplasej në një stacion autobusi.
Dy efektivët që ndodheshin në veturën e policisë mbetën të vdekur në vendin e ngjarjes. Nuk raportohet për të lënduar të tjerë, derisa ka nisur edhe hetimi për rastin.
Edhe
Gjykata bullgare merr vendim mbi aksidentin ku vdiqën 45 persona nga Maqedonia e Veriut
Deri më tani, asnjë akuzë kundër shoferit nuk është ngritur, por prokurori i qarkut, Georgi Chinev i quajti veprimet e shoferit "të vetëdijshme dhe të qëllimshme".
Bullgaria, një vend ballkanik me 7 milionë banorë, ndodhet në një rrugë kryesore për emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afganistani për në Evropë. Vetëm një numër i vogël i tyre planifikojnë të qëndrojnë në anëtarin më të varfër të BE-së, duke përdorur Bullgarinë si një korridor transiti në rrugën e tyre drejt Perëndimit.