Charles Manson ishte kriminel i vogël, i cili kishte hyrë dhe dalë nga burgu që nga fëmijëria, kur ai u rikthye në fund të viteve 1960 si një guru-filozof. Ai synonte adoleshentët e arratisur dhe shpirtrat e tjerë të humbur, të palumtur me jetën e tyre, veçanërisht gratë e reja tërheqëse që i përdorte dhe i shkëmbente me të tjerët për marrëdhënie seksuale
Në vitin 1969 Charles Manson i dërgoi një grup ndjekësish të rinj e të pakënaqur me jetën e tyre në një seri vrasjesh që e terrorizuan Los Anxhelosin. Vrasjet lanë gjurmë të thella në kujtesën e amerikanëve.
Leslie Van Houten u lirua pasi kaloi më shumë se 50 vjet në burg për dy nga ato vrasje. Ajo është e vetmja nga ndjekësit e Mansonit që mori pjesë në vrasjet famëkeqe të Tate-LaBiancas e që u lirua.
Anëtarët e “familjes” Manson mbërritën në shtëpinë e Sharon Tate në Hollywood Hills më 8 gusht 1969, ku therën me thikë, rrahën dhe qëlluan për vdekje aktoren e re dhe miqtë e saj - stilistin e famshëm të flokëve Jay Sebring, trashëgimtaren e kafesë Abigail Folger dhe skenaristin Wojciech Frykowski. Teksa shkonin në shtëpinë e Tate-s, ata takuan një adoleshent, Steven Parent, i cili kishte vizituar një të njohur në bujtinën e asaj prone. Edhe atë e qëlluan për vdekje.
Natën tjetër, Manson udhëhoqi një pjesë të vogël të ndjekësve, duke përfshirë Van Houten, në shtëpinë e shitësit të pasur ushqimor Leno LaBianca dhe gruas së tij, Rosemary. Manson e lidhi çiftin dhe i la të tjerët për t'i vrarë.
Manson dhe ndjekësit e tij vranë gjithashtu dy të tjerë - muzikantin Gary Hinman dhe stantmanin e Hollivudit Donald “Shorty” Shea - në sulme të veçanta, që nuk kishin lidhje me njëra - tjetrën.
Në dekadat që nga ajo kohë, disa nga ndjekësit e Mansonit kanë vdekur, ndërsa të tjerë mbeten pas grilave.
Vrasësit
Charles Manson ishte kriminel i vogël, i cili kishte hyrë dhe dalë nga burgu që nga fëmijëria, kur ai u rikthye në fund të viteve 1960 si një guru-filozof. Ai synonte të rekrutonte adoleshentët e arratisur nga shtëpia dhe shpirtrat e tjerë të humbur, veçanërisht gratë e reja tërheqëse që i përdorte dhe i shkëmbente me të tjerët për marrëdhënie seksuale.
Ai i dërgoi ato tek njerëzit e pasur dhe të famshëm të LA-së në atë që prokurorët thanë se ishte një përpjekje për të shkaktuar një luftë racore - ide që ata thonë se e mori nga një lexim i shtrembëruar i këngës "Helter Skelter" të Beatles.
Dekada pas dënimit të tij, Manson do të vazhdonte të tallte prokurorët, agjentët e lirimit me kusht dhe të tjerët, ndonjëherë duke mohuar ndonjë rol në vrasjet dhe herë të tjera duke u mburrur me to. Në një seancë të lirimit me kusht në vitin 2012 ai ka thënë: “Kam futur pesë persona në varr. Unë jam një njeri shumë i rrezikshëm”.
Ai vdiq në vitin 2017 pasi kaloi gati 50 vjet në burg. Ishte 83 vjeç.
- Susan Atkins, e dënuar për vrasjet e Tate-, LaBianca dhe Hinman, ishte adoleshente e arratisur që punonte si kërcimtare në një bar në San Francisko kur takoi Mansonin në vitin 1967.
Vrasjet e Tate-LaBiancas mbetën të pazgjidhura për muaj të tërë derisa Atkins, e cila ishte në burg për akuza të ndryshme, u mburr para një shoku të qelisë për përfshirjen e saj.
Në gjyq ajo dëshmoi se nuk e dinte se sa herë e kishte goditur me thikë Taten teksa aktorja i lutej për jetën e saj. Atkins, e cila u shndërrua në të krishtere gjatë kohës sa ishte në burg dhe denoncoi Mansonin, rrëfeu me lot atë përballje gjatë një seance dëgjimore për lirim me kusht vite më vonë.
Ajo vdiq në burg nga kanceri në vitin 2009. Ishte 61 vjeçe.
- Leslie Van Houten, ish-nxitëse e tifozëve të shkollës së mesme, e pa jetën e saj të dilte jashtë kontrollit në moshën 14-vjeçare pas divorcit të prindërve.
Ajo u bë përdoruese e drogës dhe mbeti shtatzënë, por tha se nëna e saj e detyroi të abortonte fetusin dhe ta varroste në oborrin e shtëpisë së familjes.
Van Houten u takua me Mansonin në një fermë të vjetër filmash në periferi të Los Anxhelosit, ku ai kishte krijuar të ashtuquajturën “familjen” e tij të ndjekësve.
Ajo nuk mori pjesë në vrasjet e Tate-s, por i shoqëroi Mansonin dhe të tjerët në shtëpinë e LaBiancas natën tjetër. Ajo ka përshkruar se si mbante Rosemary LaBianca me një këllëf jastëku mbi kokë, teksa të tjerët e goditën me thikë dhjetëra herë. Më pas, e urdhëruar nga ndjekësi i Mansonit, Charles “Tex” Watson që “të bënte diçka”, ajo tha se mori një thikë dhe e goditi gruan më shumë se dhjetëra herë.
Van Houten, 71 vjeçe, fitoi diploma bachelor dhe master në këshillim ndërsa ishte në burg dhe drejtoi disa programe burgu për të ndihmuar në rehabilitimin e të burgosurve të tjerë. Ajo u rekomandua vazhdimisht për lirim me kusht, por dy guvernatorët - së pari Jerry Brown dhe më pas Gavin Newsom - bllokuan lirimin e saj.
Megjithatë, ajo më në fund u lirua pasi Newsom njoftoi javën e kaluar se ai nuk do t’i ndiqte përpjekjet për ta mbajtur atë pas hekurave.
— Patricia Krenwinkel ishte sekretare 19-vjeçare kur takoi Mansonin në një festë. Tri ditë më vonë, ajo la gjithçka pas për ta ndjekur atë, duke besuar se kishin një lidhje romantike që po lulëzonte.
Pasi ai u bë abuziv dhe e shkëmbeu për seks, ajo tha se dy herë u përpoq ta linte atë, por ndjekësit e kthyen, e vëzhguan nga afër dhe e mbajtën të droguar.
Ajo dëshmoi në një seancë të lirimit me kusht në vitin 2016 se e goditi Folgerin në mënyrë të përsëritur, më pas e goditi me thikë Leno LaBianca në bark natën tjetër.
Krenwinkel, 75 vjeçe, mbetet në burg. Krenwinkel pretendon se ajo është një person që ka ndryshuar, por iu mohua lirimi me kusht më shumë se dhjetëra herë. Ajo më në fund u rekomandua për lirim me kusht vitin e kaluar, por Newsom e ndryshoi vendimin.
— Charles “Tex” Watson nga Teksasi kishte braktisur kolegjin kur mbërriti në Kaliforni në vitin 1967 duke kërkuar “kënaqësi përmes drogës, seksit dhe rock "n' roll”, siç shpjegon ai në faqen e tij të internetit.
Ai kujtoi takimin me Manson në shtëpinë e bateristit të Beach Boys, Dennis Wilson, pasi pa Wilsonin duke bërë autostop dhe duke e dërguar në shtëpi.
Watson, 77 vjeç, i çoi vrasësit në pronën e Tate-s, e qëlloi për vdekje prindin teksa po përpiqej të largohej dhe mori pjesë në vrasjet atë natë dhe të nesërmen në shtëpinë e LaBiancas.
Ai iu kthye fesë krishtere në burg dhe formoi një ministri burgu në vitin 1980, të cilën ai vazhdon ta drejtojë. Watson, i cili ka qenë autor ose bashkautor i disa librave ndërsa ishte në burg, pohon se ka ndryshuar dhe nuk është më rrezik për askënd. Atij i është refuzuar vazhdimisht lirimi me kusht.
Viktimat
Sharon Tate, 26-vjeçare, ishte modele dhe yll filmi në rritje pas rolit të saj në filmin e vitit 1966 “Valley of the Dolls”. Ajo ishte 8 muaj e gjysmë shtatzënë kur u sulmua dhe iu lut vrasësve të saj që ta kursenin djalin e saj të palindur.
Nëna e Tate-s, Doris, u bë avokate për të drejtat e viktimave në Kaliforni dhe luajti një rol të rëndësishëm në një ligj të vitit 1982 që lejon anëtarët e familjes të dëshmojnë për humbjet e tyre në gjyqe dhe në seancat e lirimit me kusht.
Motra e saj më e vogël, Debra, gjithashtu ia kushtoi jetën të drejtave të viktimave dhe dëshmoi në seanca të panumërta të lirimit me kusht për vrasësit, duke kërkuar që ata të mos liroheshin kurrë.
Burri i Tate-s, regjisori Roman Polanski, ishte jashtë vendit natën e vrasjeve dhe ka thënë se atij iu deshën vite për t’u rikuperuar nga pikëllimi i humbjes së gruas dhe foshnjës së tij.
- Jay Sebring, një parukier i yjeve të Hollivudit, ishte ish i dashuri i Tate-s dhe gjithashtu iu lut vrasësve që të kursenin fëmijën e saj të palindur. Ai u qëllua, u godit me shkelma në fytyrë dhe u godit disa herë me thikë.
Sebring kishte transformuar industrinë e kujdesit për flokët për meshkuj pas diplomimit në shkollën e bukurisë në Los Anxhelos, dhe klientët e tij përfshinin Warren Beatty, Steve McQueen, Frank Sinatra dhe Sammy Davis Jr. Ai themeloi Sebring International në vitin 1967 për të tregtuar produkte për flokët dhe për t’i promovuar sallonet e tij ndërkombëtarisht.
— Wojciech Frykowski dhe Abigail Folger kishin darkuar me Tate-n dhe Sebring-un më herët atë natë.
32-vjeçari Frykowski nga Polonia ishte skenarist mik i Polanskit. Një autopsi zbuloi se ai u godit me thikë më shumë se 50 herë dhe u qëllua dy herë.
E dashura e tij 25-vjeçare ishte trashëgimtare e pasurisë së kafesë Folger. Ajo arriti të ikte nga shtëpia, por u zu në lëndinë dhe u godit me thikë 28 herë.
— Steven Parent, një i sapodiplomuar në shkollën e mesme që planifikonte të shkonte në kolegj në vjeshtë, kishte shkuar në pronë për ta vizituar kujdestarin 19-vjeçar të pronës, i quajtur William Garretson. Ai po largohej nga prona kur Watson u përball me të në portën e përparme dhe e qëlloi për vdekje.
Garretson, i cili u vu në paraburgim për një kohë të shkurtër, u kthye në vendlindjen e tij Ohio menjëherë pas vrasjeve. Përveç dëshmisë së tij gjatë gjyqit të vrasjes, ai rrallëherë foli publikisht për atë natë. Ai vdiq nga kanceri në vitin 2016.
— Leno dhe Rosemary LaBianca, të cilët zotëronin një zinxhir dyqanesh ushqimore në Los Anxhelos, nuk kishin asnjë lidhje me Sharon Tate apo miqtë e saj.
Shtëpia e tyre u zgjodh rastësisht nga Mansoni, i cili i lidhi dhe më pas, para se të largohej, urdhëroi ndjekësit e tij që t'i vrisnin.
Përktheu: Blerta Haxhiu