Një person i armatosur që vrau katër persona në një spital të Oklahomas në SHBA, kishte në shënjestër mjekun që kreu operacionin e tij në shpinë, ka thënë shefi i policisë së Tulsa, Wendell Franklin.
Personi që gjuajti me armë zjarri në kampusin e Spitalit St Francis në Tulsa të mërkurën u identifikua nga policia si Michael Louis, raporton Sky News të enjten.
Personi i armatosur fajësoi mjekun Preston Phillips, i cili kreu operacionin e tij në shpinë, për dhimbjen që kishte. Phillips është një nga të vrarët.
Një tjetër mjek dhe dy të tjerë u vranë pasi personi i armatosur hapi zjarr me një pistoletë dhe një armë të llojit AR-15, i njëjti lloj arme gjysmë automatike që u përdor në të shtënat e fundit në shkollën e Teksasit, si pasojë e të cilave mbetën të vdekur 19 nxënës dhe dy mësuese.
Louis e kishte blerë njërën armë një orë para të shtënave dhe tjetrën tre ditë më parë. Të dyja besohet se janë blerë legalisht, tha shefi i policisë së Tulsas, Wendell Franklin.
Detajet zbulohen përpara një fjalimi të presidentit, Joe Biden, mbi ligjet e armëve që do të zhvillohet pasditen e së enjtes, sipas kohës lokale.
“Ai dëshiron t'i bëjë presion Kongresit të miratojë ligje të arsyes së shëndoshë për të luftuar epideminë e dhunës me armë që po merr jetë çdo ditë", bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
Edhe
Të shtëna në spitalin e Oklahomës, katër të vrarë dhe disa të plagosur
Policia shtoi se Louis kishte ndaluar në katin e dytë, ku ndodhej zyra e Phillips dhe qëlloi "pa dallim" në këdo që i dilte në rrugë.
Personi tjetër i vrarë është doktoresha ortopedike, Stephanie Husen dhe të tjerët që vdiqën ishin recepsionistja Amanda Green dhe pacienti William Love.