Pas një turneu gjashtëjavor në Peru, Grace Millane mbërriti në Zelandën e Re. Më pak se dy javë më vonë, në prag të ditëlindjes së saj të 22-të, ajo u ngufat për vdekje nga një burrë që njohu përmes një aplikacioni takimesh. Nëna e saj, Gillian, që atëherë ka bërë fushatë kundër mbrojtjes me arsyetimin e marrëdhënieve seksuale të ashpra, me shoqatën bamirëse “We Can’t Consent To This”, dhe ka ndihmuar në ndryshimin e ligjit në Angli dhe Uells
(BBC) - Grace Millane ëndërronte të udhëtonte nëpër botë që kur ishte vajzë e vogël. “Kam gjetur një projekt shkollor që ajo bëri për Zelandën e Re dhe thoshte ‘Unë do të shkoj atje një ditë’. Dhe ajo arriti atje”, thotë me krenari nëna e saj Gillian.
E rritur në Wickford në Essex, Grace kishte aftësi të drejtpërdrejtë për të bërë miq kudo që shkonte. “Ajo ishte shoqja ime më e mirë, ne gjithmonë shkonim në pijetore për një pije të shpejtë dhe i bënim pushimet së bashku”, thotë Gillian.
Pesë vjet më parë, pasi u diplomua në Universitetin e Lincolnit, Grace u nis për aventurën e vetme njëvjeçare në të gjithë botën.
Pas turneut gjashtëjavor në Peru, ajo mbërriti në Zelandën e Re. Më pak se dy javë më vonë, në prag të ditëlindjes së saj të 22-të, u ngufat për vdekje nga një burrë që njohu përmes një aplikacioni takimesh.
Grace ishte vazhdimisht në kontakt me familjen e saj, por nuk u ishte përgjigjur mesazheve të ditëlindjes së tyre më 2 dhjetor, kështu që ata e raportuan atë si të zhdukur në polici.
Edhe
Nga abuzimi te shpresa: lufta e grave kundër martesave të detyruara në Kinë
Gillian ishte në procesin e shërimit nga operacioni për kancerin e gjirit dhe nuk ishte në gjendje të bashkohej me kërkimin për vajzën e saj. Burri i saj, babai i Graces, Davidi, u nis për në Zelandën e Re, por një javë më vonë trupi i vajzës së tyre u gjet në shkurre në periferi të Aucklandit.
Gjatë gjykimit trejavor, familjes iu desh të përballonte përpjekjet e vrasësit të saj për ta ndërruar kahun e vrasjes, pasi, sipas tij, “marrëdhënia e ashpër seksuale” shkoi keq dhe pretendoi se Grace kërkoi të ngufatej.
“Ndihesha sikur Grace ishte në gjyq dhe ajo nuk mund të mbrohej. Si prind, nuk doja ta dëgjoja këtë. Ishte e tmerrshme”. “Ju nuk mund të kërkoni vdekjen tuaj. Është qesharake që kjo të mund të përdoret si mbrojtje”.
Juria e dënoi burrin njëzëri për vrasje dhe ai u dënua me burgim të përjetshëm.
Familja vendosi të mos ia përmend më kurrë emrin. “Ne nuk e përmendim emrin e tij kurrë. Është humbje energjie. Nuk më intereson ai, nuk mendoj për të”, thotë Gillian.
Gillian, që atëherë ka bërë fushatë kundër mbrojtjes me arsyetimin e marrëdhënieve seksuale të ashpra, me shoqatën bamirëse “We Can’t Consent To This”, dhe ka ndihmuar në ndryshimin e ligjit në Angli dhe Uells.
Dy vjet pas vrasjes së Graces, burri i Gillianit, David, vdiq nga kanceri dhe e la atë në një “vend vërtet të errët”.
Arsyet pse Gillian është ende këtu sot, janë familja dhe miqtë e saj, shëtitjet e gjata dhe këshillat e shumta. “Kam menduar për vetëvrasje. Është e tmerrshme. Por nuk mund t’i sillja më trishtim familjes. Grace kishte një të ardhme kaq të ndritur, dhe ajo u largua nga ajo e ardhme dhe nga ne”.
“Unë kurrë nuk do ta shoh Grace në një fustan nusërie apo nipërit e mbesat e mia. Ky është një dënim i përjetshëm që kam marrë. Kjo jam unë deri në ditën që do të vdes. Por ka një dritë dhe unë e gjeta atë. Ju duhet ta gjeni atë forcë të brendshme”.
David vdiq gjatë pandemisë së Covid-19 dhe ata nuk jetuan bashkë si familje, por Gillian më vonë organizoi festë përkujtimore për ta dhe ajo u bë pikë kthese për të.
“Një mik më tërhoqi zvarrë për të kërcyer. Nuk isha e sigurt nëse ishte gjëja e duhur për të bërë, por qesha dhe shikova të gjithë nëpër dhomë dhe të gjithë po buzëqeshnin”.
Krishtlindjet e vështira
Krishtlindjet janë kohë shumë e vështirë për Gillian, kështu që vitin e kaluar ajo vendosi ta kalonte festën duke u ngjitur në malin Kilimanxharo, i cili ishte “tepër emocionues”.
“Kam kaluar nga mos dëshira për të lënë shtëpinë, në ngjitjen e një mali në anën tjetër të botës”. “Më duhej të stërvitesha dhe të isha e fokusuar. Nuk e kuptoja fuqinë që po më jepte kjo gjë dhe sa shumë po më ndihmonte”.
“Kisha dhimbje gjithkund, por e dija që Grace dhe David do të më ndihmonin të ngjitesha atje lart. Ata donin të ishin ende këtu, nuk donin të shkonin”.
Gillian la një gur për Grace dhe David në majë të malit, në nderim të tyre.
Edhe
Familjet italiane në betejë ligjore me Metan dhe TikTokun pas tragjedive të fëmijëve
“Sa herë që shkoj në ndonjë vend të veçantë, i vendos gurët atje, pra ata janë duke udhëtuar. Nëse dikush e ngre gurin dhe e lëviz atë, ata shkojnë diku tjetër”.
Përmes përpjekjeve të saj, arritën të mblidheshin 33 mijë funte për shoqatën e bamirësisë “White Ribbon”, e cila synon t’i japë fund dhunës së burrave ndaj grave. Gillian mori kartë falënderimi nga shoqata e bamirësisë, dhe i treguan se paratë ishin përdorur për financimin e programeve arsimore në 65 shkolla në zonën Hull.
“Unë thjesht dua të rris ndërgjegjësimin dhe të shpërndajë mesazhin për dhunën ndaj grave, në mënyrë që asnjë familje tjetër të mos ketë nevojë të jetojë këtë jetë që jetoj unë”, thotë Gillian.
Katër vjet më parë, me mbesën e saj Hannah, Gillian filloi iniciativën bamirëse “Love Grace”. Atyre u dhurohen çanta dore të cilat më pas i mbushin me pajisje për grim, për viktimat e abuzimit në familje.
Deri më tani, ato kanë mbushur 15.600 çanta për gra, me pajisje grimi, në Britaninë e Madhe dhe në mbarë botën dhe kanë marrë një çmim nga kryeministri.
“Grace i pëlqente çantat e dorës”, thotë Gillian, “dhe secila çantë ka një etiketë me shkrimin e saj”.
“Është një ide e thjeshtë, por me të vërtetë ka marrë hov”, thotë Gillian. “Ne po e bënim vetëm për pikëllimin tonë, në mënyrë që Grace të mos ishte kurrë thjesht një numër”.
“Ne marrim qindra letra nga njerëzit që kanë blerë çantat”.
Ngjitja në Everest
Vitin e ardhshëm Gillian po aplikon që “Love Grace” të bëhet një organizatë bamirëse zyrtare dhe ajo do të stërvitet për një udhëtim në kampin bazë të Everestit në shtator, me një plan për të vendosur dy gurë të tjerë atje.
Një ditë ajo shpreson të udhëtojë në Zelandën e Re, vend për të cilin thotë se Grace e donte shumë.
“Unë ende marr shumë mesazhe mbështetjeje nga atje. Nuk ishte Zelanda e Re apo udhëtimi që vrau Grace, apo ndonjë gjë tjetër që ajo bëri. Ishte ai individ.”
Pesë vjet pas vdekjes së vajzës së saj, jeta pa Grace nuk është bërë më e lehtë. Por Gillian ende po përpiqet shumë që ta përballojë.
“Unë kurrë nuk duhet ta kisha varrosur fëmijën tim dhe sigurisht që ajo kurrë nuk duhet të vdiste ashtu siç vdiq. Njerëzit vazhdojnë të më thonë se jam vërtet e fortë, por unë nuk mendoj kështu, unë jam thjesht një nënë”.
“Unë jam më e fortë sesa kam menduar ndonjëherë se isha. Mendoj se David dhe Grace do të ishin krenarë. Mendoj se Grace do të qeshte”, shton ajo.
Edhe
Dy vjet nën kontrollin e një psikopati – gruaja që humbi gjithçka
“Nuk do ta kapërcej kurrë, por thjesht e di që duhet ta bëj botën një vend më të mirë. Dua t’i ndryshoj gjërat në mënyrë që asnjë familje tjetër të mos kalojë atë që po kalojmë ne”.
Përktheu: Forca Jashari
