Botë

Dy vjet nën kontrollin e një psikopati – gruaja që humbi gjithçka

Dy vjet nën kontrollin e një psikopati – gruaja që humbi gjithçka

Në fillim, Mike e bëri Tamsinin të ndihej e veçantë. Manipulimi i tij bëri që ajo të largohej nga familja dhe të linte punën. Shumë shpejt, ajo humbi veturën, telefonin dhe të gjitha paratë e saj

Tamsin e njohu Miken në verën e vitit 2022. Ai punonte si mekanik në një servis makinash, pranë rrugës që ajo e kalonte dy herë në ditë, duke shkuar dhe duke u kthyer nga puna. Pas një kohe, ai filloi t’i thërriste: “mirëmëngjesi” ose “mirëmbrëma”, dhe ajo i përgjigjej me një përshëndetje dhe një buzëqeshje. Më vonë, bisedat u zgjatën pak më shumë. E pas gjashtë muajsh, Mike dhe Tamsin shkëmbyen numrat e telefonit.

Brenda dy vitesh, jeta e saj u shkatërrua. Ajo u largua nga martesa, humbi shtëpinë, la punën, shiti veturën dhe telefonin, shpenzoi të gjitha kursimet dhe u fut në dhjetëra mijëra borxhe. Sipas planit aktual, do t’i duhen edhe tetë vjet e gjysmë për t’i paguar kreditorët. Historia e Tamsinit duket e pabesueshme dhe ajo ndihet thellësisht e turpëruar që duhet ta tregojë. Flet me vështirësi, me shënime në prehër dhe me një punonjëse mbështetëse nga qendra “Victim Support” pranë saj. Në pak minuta ndalet dhe thotë: “Duket kaq budallallëk”, “Dukem si e çmendur” ose “Ku e kisha mendjen?” Në të vërtetë, ajo kaloi dy vjet me një psikopat, një manipulues të jashtëzakonshëm. Ai tani është në burg, duke vuajtur një dënim prej 22 vitesh, por jo për mashtrim romantik apo për ndonjë krim që lidhet me Tamsinin. Përvoja e saj, sipas policisë, “nuk ka vend në gjykatë”.

Megjithatë, ka pasur disa përparime në kuptimin e asaj që quhet “mashtrim romantik në jetën reale”, sidomos pas dënimit të fundit të Nigel Bakerit. Dënimi i tij prej 17 vitesh, për mashtrim me përfaqësim të rremë, besohet të jetë më i gjati ndonjëherë për këtë lloj krimi. Baker kishte në shënjestër nëna beqare, gra të divorcuara dhe gra që kishin humbur së fundmi partnerin, përfshirë një ish-police të divorcuar me dy fëmijë dhe një kontabiliste. Ai i tërhiqte në skema investimi që nuk ekzistonin dhe i bindte të merrnin kredi për ta ndihmuar në “kriza personale” të shpikura, duke i çuar deri në falimentim dhe, në një rast, në një tentativë vetëvrasjeje. Pesë viktima u përfshinë në çështjen gjyqësore që humbën mbi 900 mijë funte gjithsej, por policia beson se ka shumë viktima të tjera, pasi krimet e Bakerit datojnë që nga vitet ’90. Një viktimë e kishte raportuar atë që në vitin 2016, por iu tha se ishte “çështje civile”. U deshën katër vjet këmbënguljeje derisa një detektiv pranoi ta merrte seriozisht rastin.

Anna Rowe, bashkëthemeluese e organizatës për mbështetjen e viktimave të mashtrimit romantik “LoveSaid”, nuk është aspak e habitur. Rowe e themeloi “LoveSaid” në vitin 2022 bashkë me Cecilie Fjellhøy, një nga viktimat e mashtruesit Simon Leviev, i dënuar për mashtrim, falsifikim dhe vjedhje në vitin 2019, historia e të cilit u bë e njohur përmes dokumentarit të Netflixit, “The Tinder Swindler”. Aktualisht, ato ndihmojnë nga 75 deri në 100 viktima të mashtrimit romantik çdo javë, si raste që kanë ndodhur vetëm online, ashtu edhe raste “në jetën reale”. “Prej pesë vitesh po përpiqemi ta bëjmë të dëgjohet termi ‘mashtrim romantik në jetën reale’”, thotë Rowe. “Kur filluam, shumë gra na thanë se policia u kishte thënë se ishte një çështje civile. Qëndrimi tipik ishte: ‘I dashuri ju ka gënjyer - ky nuk është krim. Ju zgjodhët t’i jepnit para’. Si të ishte thjesht një marrëdhënie që shkoi keq”. Ajo shton se gradualisht situata po ndryshon. “Duam që policia të ndalet dhe të bëjë disa pyetje bazë: Pse u krijua marrëdhënia? Pse kërkoi para? A mund të verifikohet kjo?”

Mashtrime të shumta romantike

Ka edhe raste të tjera të fundit. Christopher Harkins u paraqitej grave si biznesmen i suksesshëm në aplikacione takimesh dhe më pas përdorte mënyra të ndryshme për t’u marrë para. Ai pranoi se kishte mashtruar nëntë gra dhe u kishte marrë gjithsej 214 mijë funte. Harkins u shpall gjithashtu fajtor për disa vepra seksuale, përfshirë përdhunimin. “Nuk është për t’u habitur që autorët e mashtrimit romantik në jetën reale janë zakonisht kriminelë dhe kanë histori të gjata kriminale”, thotë Rowe. Edhe pse dënimi i Harkinit u bë në vitin 2024, shumë gra e kishin raportuar atë ndër vite pa rezultat, të paktën njëra që në vitin 2012.

Ka pasur edhe dënime të tjera. Në vitin 2023, David Checkley u dënua me 11 vjet burg pasi kishte mashtruar të paktën 10 gra dhe u kishte marrë qindra mijëra funte. Ai ishte dënuar për krime të ngjashme edhe në vitin 2010 dhe më herët, në vitin 2002, ishte burgosur për izolim të paligjshëm dhe komplot për shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore. Në një rast tjetër, Cieran McNamara u dënua me shtatë vjet burg në vitin 2024, pasi u kishte marrë mbi 300 mijë funte katër grave.

Sipas Rowe, shumica e metodave të përdorura në mashtrimet romantike, si ato online ashtu edhe ato që ndodhin ballë për ballë, janë të njëjta. “Shohim të njëjtat modele çdo herë”, thotë ajo. “Fillon me ‘përgatitjen’ e viktimës, me një bombardim ekstrem dashurie. Mashtruesi mëson gjithçka për ty dhe ta pasqyron mbrapsht, për të krijuar figurën e shpirtit binjak të përkryer”. Më pas vjen ajo që Rowe e quan “bombardim traume”: ai kërkon keqardhjen tënde dhe, nëse fillon të dyshosh, përdor manipulimin psikologjik (gaslighting). “Por në mashtrimet romantike që ndodhin në jetën reale, ka edhe një shkelje shtesë: fakti që ai person të ka prekur fizikisht. Kjo shton një nivel krejt tjetër traume”.

Kur Tamsin u njoh me Miken, ajo po i afrohej të 50-ave dhe ndodhej në një periudhë të vështirë. Jetonte në juglindje të Anglisë me vajzën adoleshente dhe bashkëshortin, me të cilin ishte martuar prej gati 20 vjetësh. Ajo kishte qenë gjithmonë shtylla kryesore e familjes. “Isha e lodhur, e pakënaqur, ndihesha e padashur dhe pak e lënë pas dore”, thotë ajo. “Jeta ime ishte bërë monotone: punë, shtëpi, darkë”.

Mike ishte i gjatë, trupmadh dhe 10 vjet më i madh se ajo. Pasi shkëmbyen numrat, filluan të flisnin në WhatsApp. “Flisnim pa pushim”, thotë Tamsin. “Pyetje pa fund. Kurrë s’kisha përjetuar diçka të tillë. Flisnim për gjithçka: çfarë bënim, si kishim ardhur deri aty, çfarë na pëlqente”. Mike i tha se ishte i divorcuar dhe, ashtu si ajo, i krishterë. Madje flisnin edhe për himnet e preferuara. Një muaj më vonë, u takuan për darkë në një fshat fqinj dhe më pas pasuan takime të tjera. Tamsin njohu edhe miqtë e Mikes në pijetoren e lagjes së tij.

Mike i tregoi se kishte prona me qira në vende të ndryshme të botës dhe se ishte partner ose investitor në disa biznese. Ai pretendonte se ishte i pasur, por se paratë i kishte të gjitha të bllokuara. Thoshte se kishte zgjedhur të merrte me qira një dhomë te një familje vendase, sepse nuk i pëlqente të jetonte vetëm.

Rreth kësaj kohe, Mike i tregoi gjithashtu se kishte pasur kancer më parë dhe se mjekët kishin zbuluar së fundmi një tumor malinj në zorrë, sa madhësia e një monedhe. Rowe thotë se kjo është plotësisht e parashikueshme: “Kanceri përdoret pothuajse në çdo histori mashtrimi romantik. Ose e ka mashtruesi vetë, ose fëmija i tij, ose një i afërm i ngushtë”. Kjo e bën mashtruesin të duket i brishtë dhe, në sytë e viktimës, i denjë për më shumë kujdes dhe dhembshuri. Nëse më vonë lindin dyshime, pesha e një diagnoze kanceri mjafton për t’i heshtur ato. Njëkohësisht, marrëdhënia merr një ndjenjë urgjence.

“Bombardim” me dashuri

Në javët që pasuan, Mike e mbuloi Tamsin me dashuri. “Më sillte lule, më shkruante vazhdimisht mesazhe plot komplimente. Gjëra të bukura që më bënin të ndihesha mirë me veten. Ishte e lumtur, shoqëror, plot jetë. Më dukej si versioni mashkullor i vetes sime”.

Gjatë një fundjave të fshehtë në një kasolle barinjsh në Port Lympne (Tamsin i kishte thënë bashkëshortit se ishte me kushërirën), ata folën për të ardhmen. “Flisnim për divorcin tim dhe për ndërtimin e një jete bashkë”, thotë ajo. “Për mua ishte shumë serioze”. Por pak më vonë, Mike e telefonoi në punë me lajme shkatërruese: tumori tani ishte sa një grejpfrut. Kanceri i tij ishte terminal. “Më duhej të dilja jashtë dhe të qaja”, thotë ajo. “Isha në një botë të çmendur dhe të hutuar, dhe nuk mund t’i tregoja askujt. Po humbisja kontrollin”.

Edhe pse ajo organizonte ta shoqëronte në vizitat në spital, kur vinte dita, Mike gjithmonë këmbëngulte të shkonte vetëm. Koha dukej e çmuar. Filluan të shikonin shtëpi për të jetuar bashkë - hambarë të mëdhenj të kthyer në vila, gjithmonë me hapësirë për vajzën e Tamsinit. Mike thoshte se ai do t’i paguante. Ndërkohë, Tamsin filloi t’i paguante hotelet Mikes. “Më thoshte se në shtëpi nuk kishte ujë të ngrohtë dhe unë nuk e pranoja këtë”, thotë ajo. “Ai ishte mekanik, bënte punë të rëndë. Kishte kancer. I duhej një dush i ngrohtë”.

Më në fund, Mike pretendoi se kishte blerë një pronë lokale në tokë familjare dhe po e rinovonte plotësisht. Nuk donte që Tamsin ta shihte derisa gjithçka të ishte gati dhe perfekte.

Ishte një periudhë shumë e tensionuar. Mike po dobësohej, dukej i zbehtë, kishte probleme me shëndetin mendor dhe, gjoja, hynte e dilte nga spitali. Për një periudhë të shkurtër, Tamsin madje besoi se ai kishte vdekur. Avokati dhe partneri i tij i biznesit, “Marcus” (për të cilin Mike kishte folur më parë), i dërgoi mesazh me lajmin. Tamsin qan ndërsa e kujton këtë moment. “Po qaja një njeri, shikoja yjet dhe flisja me një të vdekur që në fakt nuk kishte vdekur”, thotë ajo. Pas disa ditësh, u kontaktua sërish. Mike nuk kishte vdekur; ishte shpëtuar në një klinikë speciale në Zvicër. Ky ishte momenti i kthesës. “Që nga ai çast vendosa se nuk do ta humbisja. Nuk do ta lija më të më hiqej nga sytë”.

Tamsin u largua nga martesa, u ribashkua me Miken dhe u zhvendosën në një hotel, të cilin e paguante ajo. Mike i tha se i kishte blerë një biznes lokal - madje i tregoi edhe ndërtesën, që po rinovohej dhe për këtë arsye ajo dha dorëheqjen nga puna. Ndërsa prisnin përfundimin e rinovimeve, u nisën për një udhëtim me makinë. Mike i tha se donte që ajo të merrte pjesë në një ribashkim familjar në skajin më verior të Skocisë. Për të siguruar para, Tamsin shiti Audin e saj dhe e zëvendësoi me një Mercedes më të lirë. Disa javë më vonë, iu desh të shiste edhe Mercedesin dhe bleu një Passat më të vjetër.

Ata udhëtuan nëpër gjithë Britaninë e Madhe - Pembrokeshire, Blackpool, Paisley, Inverness - me Tamsin që paguante çdo vakt dhe çdo hotel. Ajo shpenzoi të gjitha kursimet dhe përdori disa karta krediti. Më pas filloi t’u shkruante prindërve dhe miqve, duke u kërkuar hua të vogla për të kaluar momentin. Kjo u ndërpre kur ajo shiti edhe telefonin. Në atë pikë, ishte larg nga kushdo që njihte dhe plotësisht e izoluar.

Si mund të ishte mashtruar kaq shumë? “Kisha aq shumë frikë se do ta humbisja”, thotë ajo. “Kisha investuar gjithçka: u largova nga familja, lashë punën. Nuk mendoj se zemra ime do t’i përballonte dyshimet. Isha shumë e lodhur për të vënë në dyshim gjërat, kështu që vendosa se kjo duhej të ishte e vërteta. Unë e dua. Ai më do. Kjo është jeta ime tani. Beso”.

Mohimi është një formë e zakonshme vetëmbrojtjeje, thotë Rowe. “Në fund, shumica e viktimave e dinë se diçka është shumë gabim, por duhet kohë që zemra ta pranojë atë që mendja tashmë e kupton. A mund ta imagjinoni të pranoni diçka që do t’ju shkaktojë dhimbjen më të madhe të jetës suaj?”

Pas katër muajsh, pa para, Tamsin dhe Mike po flinin në makinën e saj. “Çdo ditë duhej të zgjidhnim: ushqim, dush apo naftë”, thotë ajo. “Isha e rraskapitur. Doja vetëm që gjithçka të merrte fund”.

Ajo u kthye drejt jugut. Miken e la në qendër të një qyteti, duke i thënë se po shkonte te mjeku për kontraceptivë. Në vend të kësaj, shkoi në shtëpinë e prindërve. Ata kishin kontaktuar policinë dhe e informuan Tamsin se Mike kërkohej për disa vepra penale seksuale. Ajo telefonoi oficerin përgjegjës dhe Mike u arrestua po atë ditë.

Një aventurë e fundit

Çfarë donte Mike nga ajo? Tamsin ende nuk është e sigurt. “Mendoj se ishte një aventurë e fundit për të”, thotë ajo. “Një përpjekje e tmerrshme finale, kur e dinte se një çështje penale po ndërtohej kundër tij dhe se do të akuzohej shpejt. Unë u shfaqa dhe ai vendosi të përfitonte sa më shumë nga unë.”

Nëse ishte vetëm për para, pse e shtyu të linte punën dhe të ndërpriste të ardhurat? Pse shpiku kancerin? Pse e bëri të besonte se kishte vdekur? Tamsin mendon se ai thjesht e shijonte lojën.

Paraja është vetëm një pjesë e mashtrimit romantik, thotë Rowe. “Bëhet fjalë për pushtet dhe kontroll. Për manipulim emocional të rëndë. Ka edhe një element seksual. Dhe pastaj vjen paraja”, shpjegon ajo. “Nuk ka dyshim se autorët marrin kënaqësi nga e gjithë kjo”.

Dy vite më vonë, Tamsin është ende në fillim të rimëkëmbjes. Ajo jeton me prindërit dhe filloi të shesë sendet e saj personale: çanta, bizhuteri, gjithçka me markë. Qëllimi ishte të fillonte shlyerjen e borxheve.

Më pas gjeti një punë. Ua ktheu borxhet miqve dhe familjes. Me ndihmën e “Victim Support”, ra dakord për një plan shlyerjeje për 50 mijë funte borxhe në karta krediti. Një kreditor pranoi të fshinte 10 mijë funte, por shumica nuk e pranuan se Tamsin ishte viktimë mashtrimi apo abuzimi ekonomik, pasi ajo “kishte përfituar” nga shpenzimet.

“Ndjehem e turpëruar, e lënduar dhe e poshtëruar”, thotë ajo. “Në fillim nuk doja ta shihja askënd. Punoja gjithë ditën, kthehesha në shtëpi, haja, flija dhe e përsërisja nga e para. U shkëputa pothuajse nga e gjithë bota”.

Gjatë gjithë kësaj kohe, ajo kishte mbajtur njëfarë kontakti me vajzën e saj. Kur u takua për herë të parë sërish me bashkëshortin, ai i tha: “Faleminderit Zotit që je e sigurt”. Ata po përpiqen ta rindërtojnë marrëdhënien, por, siç thotë Tamsin, “është shumë e vështirë”.

Tamsin nuk pret keqardhje. “Krimet për të cilat ai ndodhet tani në burg janë shumë më të rënda se ato që kam përjetuar unë”, thotë ajo. Në fakt, ajo gjithmonë pret fajësim. “Kjo është ajo me të cilën përballen të gjitha viktimat e mashtrimit romantik”, thotë Rowe. “Kur gjithçka përfundon, përveç traumës, shumica e njerëzve i fajësojnë, duke i quajtur ‘budallenj’”.