Vala e dëbimeve hakmarrëse ka çuar marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve të ish-Bllokut sovjetik në pikën më të ulët që prej rënies së komunizmit, duke e nxitur Moskën t’i akuzojë të paktën dy prej këtyre vendeve për përkeqësim të qëllimshëm të relacioneve. Lituania ka bërë të ditur se do t’i largojë nga vendi dy diplomatë rusë, teksa Letonia dhe Estonia nga një secila
Lituania, Letonia dhe Estonia janë bërë të premten pjesë e listës përherë e më të gjerë të anëtarëve të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian që kanë kërkuar largimin e diplomatëve rusë nga territoret e tyre për akuzat e spiunazhit, në vendimet që kanë zemëruar Moskën dhe rrezikojnë qartësisht të provokojnë kundërpërgjigje të mëtutjeshme.
Vala e dëbimeve hakmarrëse ka çuar marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve të ish-Bllokut sovjetik në pikën më të ulët që prej rënies së komunizmit, duke e nxitur Moskën t’i akuzojë të paktën dy prej këtyre vendeve për përkeqësim të qëllimshëm të relacioneve.
Lituania ka bërë të ditur se do t’i largojë nga vendi dy diplomatë rusë, teksa Letonia dhe Estonia nga një secila.
“BE-ja duhet të ketë më pak spiunë të maskuar rusë”, ka thënë ministri i Brendshëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, duke folur para gazetarëve.
Tri dekada pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Moska menaxhon ambasada të mëdha dhe me numër të madh të pjesëtarëve të stafit përreth Evropës Qendrore dhe asaj Lindore, për të cilat vendet nikoqire pretendojnë se ofrojnë mbulesë për aktivitetet e spiunazhit.
Më këto veprime, shtetet baltike – bashkë me Sllovakinë, e cila ka urdhëruar të enjten dëbimin e tre rusëve – duket se po u përgjigjen thirrjes së kësaj jave të Republikës së Çekisë, e cila u ka kërkuar aleatëve në BE dhe në NATO që të solidarizohen me të në largimin e spiunëve rusë.
Përveç kësaj, Bullgaria dhe Polonia kanë dëbuar dy dhe respektivisht tre rusë, duke e detyruar Moskën që t’ua “tregojë derën” dy bullgarëve dhe pesë polakëve. Çekët janë përfshirë në përplasjen më të thellë nga të gjitha vendet e tjera, duke u treguar të vendosur që të dëbojnë me dhjetëra diplomatë rusë. Veprimi ka nxitur kundërpërgjigjen reciproke të Moskës, e cila ishte nxitur fillimisht nga pretendimi i autoriteteve çeke se Inteligjenca ruse qëndronte prapa shpërthimit vdekjeprurës në një depo të municioneve më 2014.
Daniel Milo, këshilltar i lartë i Institutit politik GLOBSEC me seli në Bratisllavë, ka thënë se veprimet e kombinuara tregojnë për një vetëbesim më të madh mes vendeve të Evropës Qendrore dhe ka shtuar se kjo mund të ketë pasoja në rrafshin e bashkëpunimit energjetik, fushë kjo në të cilën rajoni ka ende varshmëri të theksuar nga Rusia.
“Rusia mbase duhet të shohë se ky nuk është një akt i izoluar i një vendi të vogël prej 10 milionë banorësh (Republika Çeke), por se ekziston një ndjenjë e përnjëmendtë e solidaritetit përreth BE-së apo NATO-s”, ka thënë ai. “Nëse kjo gjë ndodh, atëherë mund të shërbejë si një pengues i fuqishëm i çdo përpjekjeje të ardhshme për të ndërmarrë aktivitete të tilla (spiunazhi), siç kanë bërë më herët, pa u ndëshkuar”.
Përplasja rreth spiunazhit ka ndodhur në kohën e tensioneve të thelluara mes Rusisë dhe Perëndimit, si për çështjen e Ukrainës, ashtu edhe për fatin e liderit opozitar rus Alexei Navalny, i cili ka njoftuar të premten se po i jep fund grevës së urisë 3-javore në burg.
Kremlini gjatë kësaj jave është ankuar për një “psikozë masive antiruse” ndërsa presidenti Vladimir Putin ka kërcënuar fuqitë perëndimore me përgjigje “asimetrike, të ashpër dhe të shpejtë” po qe se i kalojnë ato që Rusia i konsideron si “vija të kuqe” të saja.
Një retorikë e tillë nënkupton se Rusia – e cila ende nuk e ka shpalosur përgjigjen e saj ndaj veprimeve sllovake dhe baltike – nuk e ka ndërmend t’i lërë përplasjet të kalojnë heshtas.
Thellësia e ashpërsisë së Rusisë rreth trajtimit nga ish-aleatët e saj është reflektuar në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të premten, pasi Moska ka tërhequr ambasadorin e saj në Poloni për konsultime.
“Nëpërmjet përpjekjeve të autoriteteve polake gjatë viteve të fundit, kontaktet me Rusinë virtualisht janë ngrirë, një luftë e turpshme me monumentet sovjetike është iniciuar, përpjekjet janë bërë për t’i ‘torpeduar’ projektet energjetike ruse, fushata e gjerë informative antiruse veçse është duke u zhvilluar, historia po falsifikohet dhe sanksionet antiruse nga Perëndimi janë prolonguar pafundësisht”, thuhet në deklaratë.