Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Musmurati: Ende s'ka vendim nëse të mërkurën s'do të ketë mësim në shkollat e Prishtinës

Besianë Musmurati

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë se ende nuk është marrë vendim nëse të mërkurën, më 16 shtator, do të ketë mësim në shkollat e kryeqytetit.

E pyetur nëse do të zhvillohet mësimi atë ditë, Musmurati tha se çështja do të shqyrtohet në ditët në vijim.

“Do ta mendojmë, nuk e kemi marrë ndonjë vendim ende, por do ta mendojmë dhe do të shohim”, ka thënë Musmurati në një intervistë dhënë për emisionin “tre8tre” në KTV.

Ajo theksoi se 16 shtatori nuk është një datë e zakonshme dhe se rëndësia e saj, sipas saj, duhet të reflektohet edhe në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në funksionimin e shtetit.

“Data 16 nuk është një datë e zakonshme dhe mendoj se kjo duhet të reflektojë në jetën e qytetarëve dhe në jetën e përditshme të funksionimit të gjithë shtetit tonë”, u shpreh ajo.

Musmurati tha se kjo periudhë po përcillet me tension, pikëpyetje dhe shpresë, ndërsa bëri të ditur se organizata “Liria ka Emër” pritet të publikojë së shpejti aktivitetet e planifikuara për dy ditët e ardhshme.

Duke folur për mundësinë e një vendimi nga Gjykata Speciale në Hagë, Musmurati tha se nuk pret qetësi në Prishtinë dhe në pjesë të tjera të Kosovës.

Ajo shtoi se, në rast të një vendimi që e konsideron “jo të duhur” nga Gjykata në Hagë, pret reagim qytetar.

“Në qoftë se kemi një vendim jo të duhur nga Gjykata në Hagë, nuk besoj se qytetarët e Kosovës do ta presin lehtë dhe mendoj se do të jetë një organizim qytetar që nuk do të lejojë që një vendim i tillë të kalojë”, është shprehur ajo.
Lidhur me organizimet që mund të zhvillohen në Kosovë, Musmurati tha se nuk është e rëndësishme nëse Qeveria do të organizojë apo jo ndonjë pritje protokollare, pasi sipas saj, qytetarët do të jenë ata që do ta organizojnë pritjen.
“Nuk ka rëndësi nëse ka ndonjë organizim protokollar nga Qeveria apo jo, sepse ata i pret populli. Nuk ka rëndësi se cila komunë është, me rëndësi që populli do ta organizojë pritjen madhështore për ta”, ka deklaruar Musmurati.