Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vdekjet e mistershme të turistëve në Medellin pas takimeve me gra

Autoritetet në Medellin do të takojnë përfaqësues të ambasadave dhe aplikacioneve të njohura për takime këtë javë pasi pesë të huaj u gjetën të vdekur në qytetin e dytë më të madh të Kolumbisë në shtatë ditët e fundit, shkruan The Guardian.

Policia thotë se asnjë nga vdekjet nuk ishte e dhunshme, megjithëse një nga rastet përfshin një burrë që u gjet i vdekur në dhomën e hotelit disa orë pasi kishte hyrë i shoqëruar nga dy gra.

“Ka pasur disa vdekje nga shkaqe natyrore... nga problemet e zemrës, të tjera nga vetëvrasja dhe të tjera nga mbidoza”, u tha gazetarëve kryetari i Medellinit, Federico Gutierrez. “Dhe në raste të tjera, ne shohim turistët që përdorin aplikacione takimesh duke u mashtruar – dhe më pas përfundojnë duke u grabitur dhe vrarë. Kjo çështje është shumë delikate dhe unë kam folur tashmë me ambasadorin amerikan”.

Gjatë 30 vjetëve të fundit, Medellini është shndërruar nga një nga qytetet më vrastare në botë në një destinacion global për turistët. Në vitin 2022, më shumë se 1.4 milionë njerëz vizituan qytetin, i njohur për motin e mirë dhe mikpritjen e ngrohtë, nga 200 mijë më 2015. Qyteti njihet më së shumti për kartelin e drogës në krye të së cilit ishte Pablo Escobari. 

Tinderi është bërë mjet popullor për bandat kriminale për të synuar turistët, thonë ekspertët e krimit. Bandat lokale punësojnë gra të reja tërheqëse për të joshur të huajt në takime përmes aplikacioneve të takimeve përpara se t'i drogojnë dhe grabisin.

Shumë prej rasteve nuk raportohen pasi viktimat janë shumë të turpëruar për të njoftuar policinë, por një sërë vdekjesh në muajt e fundit e kanë sjellë çështjen në qendër të vëmendjes.

Këto vdekje shpesh ndodhin nga mbidozat e drogave të tilla si skopolamina, një bimë dehëse e rritur në Ande e cila mund të përdoret për të paaftësuar njerëzit përpara se t'u vjedhin pasuritë ose t’i vjedhin llogaritë e tyre bankare.

Edhe Një qytet në Kolumbi ndalon prostitucionin në lagjet e frekuentuara nga turistët Botë Një qytet në Kolumbi ndalon prostitucionin në lagjet e frekuentuara nga turistët

Ambasadat, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, lëshuan paralajmërime për vizitorët e huaj muajin e kaluar pasi numri i vdekjeve në lidhje me takimet në internet u rrit.

Ambasada amerikane në Bogota regjistroi tetë vdekje “të dyshimta” të qytetarëve amerikanë në nëntor dhe dhjetor 2023, ndërsa numri i vjedhjeve të kryera ndaj vizitorëve të huaj u rrit 200% në tremujorin e tretë të vitit 2023 krahasuar me një vit më parë.

Tinder paralajmëroi gjithashtu përdoruesit në Kolumbi në fund të janarit që të kishin kujdes duke pasur parasysh valën e viktimave.