Kryebashkiaku i Medellin, qytetit të dytë më të madh të Kolumbisë ka ndaluar prostitucionin për gjashtë muaj në disa nga lagjet më të famshme të qytetit, duke argumentuar se ishte i nevojshëm parandalimi i shfrytëzimit seksual të fëmijëve, raporton “Associated Press”.
Kryetari i Bashkisë së Medellin, Federico Gutiérrez ka thënë se ndalimi do të zbatohet në Provenza dhe El Poblado, dy lagje të frekuentuara nga mijëra turistë.
Lagjet janë të njohura për punonjësit e seksit që dalin në rrugë në kërkim të klientëve ndërkombëtarë. Gutiérrez ka shtuar se rrjetet kriminale po i marrin të miturit në këto rrethe dhe po i detyrojnë të ushtrojnë prostitucion.
Prostitucioni është i ligjshëm në Kolumbi nëse përfshin pëlqimin e të rriturve. Por pushteti vendor mund ta ndalojë përkohësisht këtë aktivitet në pjesë të qyteteve, nëse konsiderohet si një kërcënim për rendin publik.
Ndalimi i prostitucionit në Medellin vjen vetëm disa ditë pasi një shtetas amerikan u gjet në një dhomë hoteli me dy vajza vendase të moshës 12 dhe 13 vjeçe. 36-vjeçari u mbajt në paraburgim për 12 orë, e më pas u la i lirë ndërkohë që zyrtarët po hetonin rastin. Mediat lokale kanë raportuar se ai është larguar nga Kolumbia dhe ka shkuar në Florida.
Medellin, qyteti me 3 milionë banorë po bëhet gjithnjë e më i frekuentuar nga turistët, për shkak të klimës, çmimeve të përballueshme dhe atmosferës festive.
-
Vdekjet e mistershme të turistëve në Medellin pas takimeve me gra
-
Goditet grupi kriminal që trafikonte vajza nga Amerika Latine e Azia në Shqipëri
-
Të paktën 18 të vrarë dhe dhjetëra të lënduar në Kolumbi, pas sulmeve të grupeve rebele
-
“Industria e transmetimeve për të rritur na rekrutoi kur ishim ende në shkollë”
-
Spanja shkatërron bandën e trafikimit seksual që shfrytëzonte mbi 1,000 gra