Botë

Vdekja e Nicholsit ringjall thirrjet për ndryshim të kulturës policore

DHuna - SHBA

Hetim, llogaridhënie dhe akuza. Kjo është shpesh ajo që qytetarët afro-amerikanë mund të shpresojnë ndërsa vdekjet vazhdojnë. Në mbarë vendin policia ka vrarë afërsisht tre persona në ditë në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2020, sipas akademikëve dhe avokatëve për reformën policore që gjurmojnë vdekje të tilla

Një afro-amerikan i paarmatosur ka mbetur i vdekur pas një rrahjeje të filmuar nga policia. Oficerët e përfshirë u pushuan nga puna. Pas shqyrtimit të detajuar të provave, ndaj oficerëve kundërvajtës është ngritur menjëherë kallëzim penal.

Hetim, llogaridhënie dhe akuza.

Kjo është shpesh ajo që qytetarët afro-amerikanë mund të shpresojnë, ndërsa vdekjet vazhdojnë. Në mbarë vendin policia ka vrarë afërsisht tre persona në ditë në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2020, sipas akademikëve dhe avokatëve për reformën policore që gjurmojnë vdekje të tilla.

Takimi fatal i Tyre Nicholsit me oficerët e policisë në Memphis, Tennessee, i regjistruar në videon e bërë publike të premten mbrëma, është një kujtim i qartë se përpjekjet për të reformuar policinë kanë dështuar për të parandaluar një epidemi të vështirë brutaliteti.

Image

Dështimi i përbashkët

Gati 32 vjet më parë, rrahja e egër e Rodney Kingut nga policia në Los Anxhelos nxiti thirrje të përzemërta për ndryshim. Ato janë përsëritur me një ritëm të pandërprerë që atëherë, të shoqëruara nga vdekja e Amadou Diallos në New York, Oscar Grant në Oakland, California, Michael Brown në Ferguson, Missouri dhe shumë të tjerë.

Vrasja e George Floydit në Minneapolis në vitin 2020 ishte aq e dhimbshme për t'u parë. Të gjithë dështuan në ndryshimin në kulturën e zbatimit të ligjit që afro-amerikanët në Amerikë kanë bërë thirrje - një kulturë që promovon lirinë nga frika, besimin në polici dhe respektin reciprok.

Pesë oficerët afro-amerikanë tani janë shkarkuar dhe akuzuar për vrasje dhe krime të tjera në vdekjen e Nicholsit, skateboardist 29-vjeçar, punonjës i FedEx-it dhe baba i një djali 4-vjeçar.

Nga policia dhe zyra e prokurorit të qarkut në Shtëpinë e Bardhë, zyrtarët thanë se vrasja e Nicholsit tregon nevojën për reforma më të guximshme që shkojnë përtej thjesht diversifikimit të gradave, ndryshimit të rregullave të përdorimit të forcës dhe inkurajimit të qytetarëve për të paraqitur ankesa.

Tani kërkohet trajnim për depërshkallëzimin. Oficerëve u thuhet të kufizojnë përdorimin e forcës, të shterojnë të gjitha alternativat përpara se të përdorin forcën vdekjeprurëse dhe të raportojnë të gjitha përdorimet e forcës. Tennessee gjithashtu ndërmori veprime: Ligji i shtetit tani kërkon që oficerët të ndërhyjnë për të ndaluar abuzimin dhe për të raportuar forcën e tepruar nga kolegët e tyre.

E vërteta e hidhur

Rasti i Nicholsit – vetëm një nga rastet e brutalitetit që është bërë lajm kombëtar këtë muaj – ekspozon një të vërtetë të pakëndshme: më shumë se dy vjet që kur vdekja e Floyd, Breonna Taylor dhe Rayshard Brooks shkaktoi protesta, reformat e policisë nuk i kanë reduktuar ndjeshëm vrasjet e tilla.

Shtetet miratuan rreth 300 projektligje për reformën policore pas vrasjes së Floydit, duke krijuar mbikëqyrje civile të policisë, më shumë trajnime kundër paragjykimeve, kufizime më të rrepta të përdorimit të forcës dhe alternativa ndaj arrestimeve në rastet që përfshijnë njerëz me sëmundje mendore, sipas një analize të fundit nga Qendra për Gazetari Hulumtuese, Howard, në Universitetin e Marylandit.

Pavarësisht thirrjeve për të "zhveshur financimin e policisë", një rishikim i Associated Pressit i financimit të policisë në mbarë vendin gjeti vetëm shkurtime modeste, të nxitura kryesisht nga tkurrja e të ardhurave në lidhje me pandeminë e koronavirusit. Buxhetet u rritën dhe më shumë oficerë u punësuan për disa departamente të mëdha, duke përfshirë qytetin e New Yorkut.

Avokatët duan legjislacion shtetëror dhe federal, sepse ndryshimet lokale ndryshojnë shumë në shtrirje dhe efekt dhe mund të zhbëhen nga një zgjedhje e vetme pas vitesh aktivizmi në bazë. Por disa thonë se rregulloret strikte janë vetëm fillimi – dhe videoja e agonisë së Nicholsit e vërteton këtë.

Premtime të parealizuara

Pesë oficerët e akuzuar - Tadarrius Bean, Demetrius Haley, Desmond Mills Jr., Emmitt Martin III dhe Justin Smith - ishin pjesë e së ashtuquajturës njësi “Scorpion”. “Scorpion” ka mandatin për operacionet e krimeve në rrugë për të rivendosur paqen në lagjet amerikane.

Kryetari i Memphisit, Jim Strickland, tha se ishte e qartë se oficerët e përfshirë në sulmin ndaj Nicholsit shkelën politikat dhe trajnimin e departamentit.

"Dua t'ju siguroj se po bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar që kjo të ndodhë përsëri", tha Strickland në një deklaratë. "Ne po iniciojmë një rishikim të jashtëm, të pavarur, të trajnimit, politikave dhe operacioneve të njësive tona të specializuara".

Protestuesit dolën sërish të premten mbrëma pasi qyteti publikoi video-pamjet. Turner, pastori i Memphisit, i quajti imazhet "provë të mëtejshme se sistemet e drejtësisë penale të qytetit tonë dhe të vendit tonë kanë nevojë urgjente për ndryshim".

"Nuk është se kemi mungesë të rekomandimeve konkrete dhe të arsyeshme", tha Earle Fisher, pastor i lartë i Kishës Baptiste Abisiniane. “Ajo që na mungon është vullneti politik dhe angazhimi për të bërë ndryshime strukturore”.

Përktheu: Forca Jashari