Pas kundërshtimeve nga disa peshkopë në Afrikë, Poloni e vende tjera, Vatikani të enjten ka mbrojtur sërish masën e marrë nga Papa Françesku për ta lejuar bekimin e çifteve të gjinisë së njëjtë, duke këmbëngulur se nuk ka asgjë “heretike” në këtë, raporton agjencia “AP”.
Në një deklaratë pesëfaqëshe, Selia e Shenjtë ka shprehur mirëkuptimin se disa peshkopëve u duhet më tepër kohë për “reflektim” mbi miratimin formal të Papës për bekime të tilla.
“Por, nuk ka hapësirë për t’u distancuar doktrinalisht nga Deklarata për bekimet apo ta konsiderojë atë heretike, në kundërshtim me Traditën e Kishës apo blasfemike”, thuhet në deklaratë.
Rregulli i ri për bekimin erdhi muajin e kaluar në formë Deklarate, një dokument i rëndësishëm i Kishës Katolike.
Disa peshkopë thanë menjëherë se nuk do t’i zbatojnë politikat e reja.
Edhe
Papa: Hipokritët kritikojnë bekimin e homoseksualëve
“Maturia dhe vëmendja ndaj kontekstit kishtar dhe kulturor mund të lejojë metodat të ndryshme të zbatimit të rregullit të ri, por jo një mohim total apo definitiv të kësaj rruge që iu propozua priftërinjve”, thuhet në deklaratën e të enjtes.
Por, Zyra ka thënë se në situata “ku ka ligje që dënojnë me burg thjeshtë aktin e deklarimit homoseksual e në disa raste edhe me tortura e madje me vdekje, është e kuptueshme se një bekim do të ishte i pakujdesshëm”.
“Është e qartë se peshkopët nuk duan t’i ekspozojnë personat homoseksualë ndaj dhunës”, është thënë nga Selia e Shenjtë.
Por, është thënë se është “jetike” që konferencat e peshkopëve të mos mbështesin doktrina tjera nga ajo e Deklaratës së nënshkruar nga Papa.
Miratimi i Papës Françesku përmbysi një politikë të vitit 2021 nga Zyra e Doktrinës së Vatikanit, që ndalonte bekimet e çifteve të gjinive të njëjta me arsyetimin se Zoti “nuk e bekon dhe nuk mund ta bekojë mëkatin”.
Konferenca e peshkopëve në Zambia tha se bekimet e çifteve të gjinisë së njëjtë nuk janë për t’u zbatuar në këtë vend. Ndërkohë njëjtë u tha edhe në konferencën e peshkopëve të Malavit.
Edhe
Vatikani miraton bekimet për çiftet e të njëjtës gjini
Në Zambia, marrëdhëniet homoseksuale dënohen nga 15 vjet deri burgim të përjetshëm.
Ndërkohë në Malavi dënimi është me 14 vjet burgim apo ndëshkime trupore.
Peshkopët në Zambia kanë thënë se duhet reflektim i mëtutjeshëm mbi bekimet dhe kanë cituar ligjet në vendin e tyre.
Papa Françesku ka bërë përpjekje dhjetëvjeçare për ta bërë kishën një vend më mikpritës për komunitetin LGBTQ+. Por, qasja e tij vazhdon të ndezë rezistencën mes udhëheqësve tradicionalë dhe konservatorë katolikë.
Deklarata e të enjtes e Selisë së Shenjtë tha se Vatikani thjeshtë po lejon “bekime të shkurtra dhe thjeshta”.
Edhe
Papa e lë të hapur mundësinë për bekimin e martesave mes gjinive të njëjta
“Kjo formë e bekimit të paritualizuar, me thjeshtësinë dhe shkurtësinë e formës së saj, nuk synon të justifikojë asgjë që nuk është moralisht e pranueshme”, thuhet në deklaratën.
Deklarata u nënshkrua nga kardinali Victor Manuel Fernandez, që është këshilltar teologjik i Papa Françeskut.