Botë

Varreza të reja në Izium, viktimat u torturuan para se të vriteshin

Së paku tri varreza të reja janë zbuluar në qytetin Izium në lindje të Ukrainës. Ky qytet ishte pushtuar nga forcat ruse për gjashtë muaj para se të tërhiqeshin.

Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se së paku 30 nga 436 trupat e zhvarrosur deri tani në Izium kishin shenja të torturës. Në mesin e tyre ishin trupat e 21 ushtarëve ukrainas, disa prej të cilëve ishin me duar të lidhura prapa shpinës.

Forcat ruse qëndruan në Izium për gjashtë muaj para se të tërhiqeshin shkaku i kundërofensivës së madhe ukrainase në fillim të muajit shtator.

Zhvarrosja e trupave që ka filluar para një jave është afër përfundimit. Hetuesit janë duke punuar në identifikimin e viktimave dhe në shkakun e vdekjes së tyre.

Një laborator mobil për ADN është vendosur në skaj të varrezave masive në qytetin ukrainas.

Të premten, ekipi i ekspertëve i Kombeve të Bashkuara ka konstatuar se forcat ruse kanë kryer krime lufte në Izium dhe në qytete të tjera ukrainase, në të cilat janë zbuluar varrezat masive.