Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance dhe të dërguar të tjerë shprehën optimizëm të martën në lidhje me marrëveshjen e brishtë të armëpushimit në Gazë, duke e quajtur përparimin më të mirë se sa pritej, ndërsa vizituan një qendër të re në Izrael për bashkëpunim civil dhe ushtarak.
Vance vuri në dukje shpërthime të dhunës në ditët e fundit, por tha se armëpushimi po shkon "më mirë se sa prisja" pas dy vjetësh lufte midis Izraelit dhe Hamasit.
I dërguari Steve Witkoff shtoi se "po e tejkalojmë nivelin që mendonim se do të ishim në këtë kohë".
Zyrtarët më të lartë amerikanë po qëndrojnë në Izrael ndërsa mbeten pyetje mbi planin afatgjatë për paqen, të tilla si nëse Hamasi do të çarmatoset dhe kush do ta qeverisë Gazën.
Vance u përpoq të hidhte poshtë çdo ide se vizita e tij ishte rregulluar urgjentisht për të mbajtur armëpushimin në fuqi.
"Vizita ime nuk ka të bëjë fare me ngjarjet e 48 orëve të fundit", ka thënë ai. Kjo është vizita e tij e parë në Izrael si zëvendëspresident.
Vance u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë, dhe pritet të qëndrojë në rajon deri të enjten.
Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump dhe një nga arkitektët e marrëveshjes së armëpushimit, vuri në dukje kompleksitetin e marrëveshjes.
"Të dyja palët po kalojnë, nga dy vjet luftë shumë intensive në një qëndrim paqeje tani”, ka thënë ai.
Vance tha se ndihet "i sigurt se do të jemi në një vend ku kjo paqe do të zgjasë", por paralajmëroi se nëse Hamasi nuk bashkëpunon, do të "zhduket".
E Hamasi ka njoftuar të martën se janë gjetur mbetjet edhe të dy pengjeve të tjera.
