Botë

Intensifikohen përpjekjet për armëpushim në Gazë

Gaza

Foto: Associated Press

Një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë BBC-së se ndërmjetësit kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të ndërmjetësuar një armëpushim të ri dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gazë.

Komentet erdhën pak pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se po bëhej "përparim i madh" që kur Izraeli dhe Irani i dhanë fund luftës së tyre 12-ditore të martën, dhe se i dërguari i tij, Steve Witkoff mendonte se një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit ishte "shumë afër".

Sulmet izraelite në të gjithë Gazën të mërkurën vranë të paktën 45 palestinezë, përfshirë disa që kërkonin ndihmë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka njoftuar se shtatë ushtarë janë vrarë në një sulm me bombë të martën, të marrë përsipër nga Hamasi.

"Mendoj se po bëhet përparim i madh në Gazë, mendoj për shkak të këtij sulmi që bëmë", u ka thënë Trumpi gazetarëve në Bruksel të mërkurën, duke iu referuar sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane të kryera në fundjavë mes konfliktit midis Izraelit dhe Iranit.

"Mendoj se do të kemi lajme shumë të mira. Po flisja me Steve Ëitkoff dhe ai më tha se Gaza është shumë afër."

Menjëherë pasi Trumi ka folur, zyrtari i lartë i Hamasit i ka thënë BBC-së se ndërmjetësit ishin "të angazhuar me kontakte intensive që synonin arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi".

Megjithatë, ai ka shtuar se grupi "nuk kishte marrë asnjë propozim të ri deri më tani".

Një zyrtar izraelit i ka thënë gjithashtu gazetës Haaretz se nuk ka pasur përparim në negociata dhe se mosmarrëveshjet kryesore mbetën të pazgjidhura.