Të paktën 53 persona janë vrarë në një nga sulmet ajrore më vdekjeprurëse nga ushtria e Birmanisë.
Dëshmitarët thonë se në mesin e të vdekurve janë të paktën 15 gra dhe një numër fëmijësh.
Sulmi i së martës kishte në shënjestër një fshat në rajonin veriperëndimor Sagaing, i cili ka kundërshtuar qeverinë ushtarake, shkruan BBC.
Ushtria ka përdorur gjithnjë e më shumë sulme ajrore kundër kundërshtarëve të tyre që kur ata morën pushtetin në shkurt të vitit 2021.
Komunitetet në Sagaing janë bërë opozita më e fortë ndaj sundimit ushtarak në Birmani, duke formuar milicitë e tyre dhe duke drejtuar shkollat dhe klinikat e tyre.
Një fshatar i tha BBC-së se një avion ushtarak kishte fluturuar rreth orës 7 të mëngjesit me orë lokale, dhe kishte hedhur një bombë.
Banorët publikuan video që tregojnë skena të masakrës së tmerrshme, me trupa të copëtuar të shtrirë në tokë dhe disa ndërtesa në zjarr.
Ata thanë se u përpoqën të numëronin trupat, por se kjo ishte e vështirë sepse trupat ishin bërë copë-copë.
Mijëra persona janë vrarë në luftën civile, me 1.4 milionë të tjerë të zhvendosur. Gati një e treta e popullsisë së vendit ka gjithashtu nevojë për ndihmë humanitare, sipas Kombeve të Bashkuara.