Botë

Ushtria izraelite urdhëron evakuimin nga një zonë humanitare në Gaza

Banorët në Gaza

Banorët në Gaza

Foto: Associated Press

Ushtria izraelite të hënën urdhëroi evakuimin e një pjese të një zone në Rripin e Gazës, të cilën e kishte caktuar më parë si zonë humanitare.

Ushtria ka thënë se po planifikon të fillojë një operacion kundër militantëve të Hamasit, të cilët janë ngulitur në zonë dhe e kanë përdorur atë për të lëshuar raketa drejt Izraelit.

Zona përfshin pjesën lindore të zonës humanitare Muwasi, e cila ndodhet në Rripin jugor të Gazës, raporton AP.

Shumë palestinezë janë zhvendosur disa herë në kërkim të sigurisë gjatë ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit.

Në fillim të këtij muaji, zyrtarë izraelitë kanë thënë se vlerësojnë se të paktën 1.8 milionë palestinezë janë tani në zonën humanitare që ajo deklaroi që mbulon një shtrirje prej rreth 14 kilometrash përgjatë Mesdheut.

Pjesa më e madhe e asaj zone tani është e mbuluar me kampe çadrash të cilave u mungojnë objektet sanitare dhe mjekësore dhe kanë qasje të kufizuar në ndihmë, thonë OKB-ja dhe grupet humanitare.

Familjet jetojnë në mes të maleve me plehra dhe përrenj të ndotur nga ujërat e zeza.

Njoftimi për evakuim vjen në kohën kur po zhvillohen negociata të vështira përmes të cilave po synohet një armëpushim në Gaza, derisa zyrtarët amerikanë dhe izraelitë shprehën shpresën se një marrëveshje është më afër se kurrë.

Një ekip negociator do të dërgohet për të vazhduar bisedimet të enjten, ka njoftuar zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu. Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të shtyjnë Izraelin dhe Hamasin drejt një marrëveshjeje me faza të armëpushimit që do të ndalonte luftimet dhe do të lironte pengjet.