Qendrat e shpërndarjes së ndihmave në Gazë do të mbyllen për një ditë të mërkurën, pasi ushtria izraelite paralajmëroi se rrugët që çojnë në këto vende do të konsiderohen "zona luftimi".
Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një rrjet ndihme kontrovers i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli, i cili filloi të vepronte javën e kaluar, ka thënë se po i mbyllte vendet e tij për "punë përditësimi, organizimi dhe përmirësimi të efikasitetit".
Në një përditësim të veçantë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë thënë se njerëzve do t'u "ndalohej" hyrja në qendrat e shpërndarjes ose udhëtimi në rrugët që të çojnë në to.
Të martën herët, të paktën 27 palestinezë u vranë nga një sulm izraelit pranë një qendre shpërndarjeje, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile të drejtuar nga Hamasi.
Ky ishte incidenti i tretë vdekjeprurës që ka ndodhur në rrugët drejt vendit të Fondacionit të ndihmave.
IDF-ja ka thënë se trupat e saj qëlluan pasi identifikuan të dyshuarit që lëvizën drejt tyre "duke devijuar nga rrugët e caktuara të hyrjes".
Zëdhënësi i Agjencisë së Mbrojtjes Civile të drejtuar nga Hamasi, Mahmoud Basal, ka thënë se civilët janë qëlluar nga tanke, dronë dhe helikopterë pranë një vendi ndihme.