Botë

USAID: S’ka prova për vjedhje masive të ndihmës në Gazë nga Hamasi

Gaze

Një analizë e bërë nga një zyrë brenda Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID) ka zbuluar se nuk ka prova për vjedhje masive të ndihmës humanitare të financuar nga SHBA-ja nga grupi palestinez Hamas, duke sfiduar arsyen kryesore që Izraeli dhe SHBA-ja përdorin për të mbështetur operacionin të ri ushtarak në Gazë.

Analiza, për të cilën nuk është raportuar më parë është përfunduar në fund të qershorit. Ajo thuhet se shqyrtoi 156 raste të vjedhjes ose humbjes së ndihmës të financuar nga SHBA-ja, të raportuara nga organizatat partnere të ndihmës amerikane midis tetorit 2023 dhe majit 2024.

Analiza gjeti se “nuk ka raporte që lidhin Hamasin” me përfitimin nga ndihma e financuar nga SHBA-ja, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit e kundërshtoi këtë gjetje, duke thënë se ka video që dëshmojnë se Hamasi e vjedh ndihmën, por nuk prezantoi asnjë video të tillë. 

Gjetjet u ndanë me zyrën e inspektorit të përgjithshëm të USAID-it dhe me zyrtarët e Departamentit të Shtetit që merren me politikën e Lindjes së Mesme, thanë dy burime që janë njohura me çështjen, dhe kjo ndodh në një kohë kur mungesat e ushqimit bëhen gjithnjë e më të theksuara në Gaza.

Izraeli pretendon  se është i angazhuar për të lejuar hyrjen e ndihmës, por duhet ta kontrollojë atë për të parandaluar vjedhjen nga Hamasi, që sipas tij është përgjegjës për krizën.

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së thotë se gati një e katërta e 2.1 milionë palestinezëve të Gazës përballen me kushte si ato të një urie ekstreme, mijëra po vuajnë nga kequshqyerja e rëndë, teksa Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe mjekët në enklavë raportojnë vdekje nga uria të fëmijëve dhe të rriturve të tjerë.

OKB-ja gjithashtu vlerëson se forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 1.000 njerëz që kërkonin ndihma ushqimore, shumica e tyre afër pikave të shpërndarjes ushtarake të Gazës, të cilat drejtohen nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF).