Ligjvënësit e Bashkimit Evropian do të mbajnë një votëbesim të enjten për kreun e krahut të fuqishëm ekzekutiv të bllokut, Ursula von der Leyen, teksa kryeministri hungarez Viktor Orban po kryeson thirrjet për shkarkimin e saj.
Mocioni i mosbesimit, i pari në Parlamentin Evropian në më shumë se një dekadë, u ngrit kundër presidentes së Komisionit Evropian nga një grup ligjvënësish të së djathtës ekstreme. Për t'u miratuar, kërkon një shumicë prej dy të tretash të votave pro, raporton AP.
Von der Leyen mund të detyrohet të japë dorëheqjen nëse humbet, por ajo është praktikisht e garantuar të fitojë pasi shumica e grupeve politike në asamble kanë sinjalizuar se do të votojnë kundër mocionit.
Ajo nuk pritet të marrë pjesë në votimin që mbahet në Strasburg, Francë.
Mocioni përmban një përzierje akuzash kundër von der Leyen, duke përfshirë mesazhet private me shefin e prodhuesit të vaksinës kundër COVID-19, Pfizer, keqpërdorim të fondeve të BE-së dhe ndërhyrje në zgjedhjet në Gjermani dhe Rumani.
"Do të jetë momenti i së vërtetës: nga njëra anë elita perandorake në Bruksel, nga ana tjetër patriotët dhe arsyeja e shëndoshë. Nuk ka rrugëdalje nga kjo, është thelbësore të bëhet një zgjedhje”, ka shkruar Orban në rrjetet sociale.
“Zonja presidente, thelbi i lidershipit është përgjegjësia. Koha për të ikur!”, ka shtuar ai.
Komisioni i Von der Leyen është përplasur shpesh me Orbanin për shkak të lëvizjeve të qeverisë së tij nacionaliste për të penguar demokracinë.
Komisioni ka ngrirë qasjen e Hungarisë në miliarda euro nga fondet e BE-së.
Von der Leyen i shpëton votëbesimit në Parlamentin Evropian
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka shpëtuar votës së mosbesimit të enjten, pasi një numër i madh i ligjvënësve të Bashkimit Evropuan kanë votuar kundër.
Mocioni përmbante një përzierje akuzash kundër von der Leyenit, duke përfshirë keqpërdorim të fondeve të BE-së dhe ndërhyrje në zgjedhjet në Gjermani dhe Rumani, raporton AP.
Por 360 ligjvënës votuan kundër tij gjatë një seance plenare në Parlamentin Europian në Strasburg, Francë.
Vetëm 175 ishin pro dhe 18 zgjodhën të abstenonin. Von der Leyen nuk ishte e pranishme në votim.