Një ditë pasi uragani “Otis” goditi bregun e Acapulcos, duke shkaktuar përmbytje të mëdha, qyteti turistik me afro 1 milion banorë u zhyt në kaos, raporton agjencia “AP”. Banorët kanë mbetur pa energji elektrike e shërbime të internetit.
Pamjet dhe rrëfimet e para tregojnë një shkatërrim të gjerë, me pemë e shtylla elektrike të rrëzuara. Shumë nga hotelet, dikur shumë të bukura buzë plazhit në Acapulco, tash janë shkatërruar tërësisht, pasi stuhia e kategorisë 5 që goditi zonën, ka thyer qindra, mbase edhe mijëra dritare.
Rreth 10 mijë trupa ushtarake u vendosën në zonë, atyre u mungonin mjetet për të pastruar tonelatat e baltës dhe për t’i larguar pemët e rrëzuara. Qindra kamionë nga kompanitë qeveritare dhe ekipe të kompanive shtetërore të energjisë elektrike, mbërritën në Acapulco herët të mërkurën, por dukeshin të përhumbur se si ta rikthenin energjinë.
Ndërtesave të mëdha u janë shkulur çatitë e muret u janë dëmtuar. Natën e së mërkurës qyteti u zhyt në terr. Nuk kishte shërbim telefonik, por disa njerëz mundën të përdornin telefonat satelitorë të huazuar nga Kryqi i Kuq për t’i njoftuar anëtarët e familjes se ishin mirë.