Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Uragani “Otis” godet Meksikën

Uragani “Otis”, stuhi “jashtëzakonisht e rrezikshme” e kategorisë së pestë, ka arritur në jug të Meksikës, thonë meteorologët amerikanë, raporton BBC.

Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve (NHC), “Otis”, arriti pranë vendit të njohur turistik Acapulco pak pas mesnatës të së mërkurës.

Erërat e stuhisë parashikohet të arrijnë shpejtësinë deri 270 km/h.

NHC-ja ka paralajmëruar për “valë shkatërruese” dhe përmbytje të mëdha në zonat bregdetare, duke përfshirë Acapulcon.

Një paralajmërim uragani është në fuqi, përgjatë një vije bregdetare 350 kilometra mes qyteteve bregdetare Zihuatanejo dhe Punta Maldonado në shtetin e Guerreros.

Është thënë se “Otis” do të sjellë të premten shira të dendur.

Pranë bregdetit, është paralajmëruar se valët do të shoqërohen me dallgë të mëdha dhe shkatërruese.

Përpara goditjes së uraganit "Otis", autoritetet e Guerreros kanë përgatitur strehimore emergjente.

Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador u bëri thirrje qytetarëve të strehohen, e të qëndrojnë larg lumenjve e përrenjve.

Mësimet shkollore në të gjithë shtetin gjithashtu janë anuluar.

Në Acapulco, ushtarët kanë patrulluar zonën e plazhit.

Disa pjesë të vijës bregdetare të Meksikës në Paqësor kanë parë tashmë përmbytje të konsiderueshme në fillim të këtij muaji, pas goditjes së stuhisë tropikale “Max”. Mediat lokale raportuan për dy të vdekur si pasojë e stuhisë në Guerrero.

Artikuj të ngjashëm