Në qytetin ukrainas të Iziumit janë zbuluar disa qendra të torturave. Ukrainasit e torturuar janë kthyer edhe një herë për të rrëfyer tmerrin që përjetuan nga ushtarët rusë
Ushtari ukrainas, Mykola Mosyakyn, bredh nëpër qendrën e braktisur klinike. Bën me gisht kah dhoma ku nuk u mjekua, por u torturua.
Ai rrëfen se ia vendosën një thes në kokë. E torturuan me energji elektrike dhe e rrahën.
Kur forcat ukrainase kthyen kontrollin e qytetit të Iziumit, zbuluan qindra varre.
Ata gjetën edhe disa dhoma të torturës që u përdorën nga rusët gjatë pushtimit të tyre gjashtëmujor.

“Më kanë mbajtur pezull, isha me pranga. Më rrahën me shkop, me duar, më shqelmuan dhe fikën cigaret në trupin tim. Ma digjnin trupin me shkrepëse. I kam shenjat. Pastaj më gjuajtën me armë dhe më detyruan të vallëzoj. Shtinin drejt këmbëve dhe më thanë ‘vallëzo’, por unë nuk vallëzova. Kështu shtinin në drejtim të këmbëve”, ka theksuar Mosyakyn.
E heq bluzën për t’i treguar vragat.
“Më mbuluan fytyrën me një thes dhe më spërkatën me ujë. Më torturuan me rrymë. Isha i ulur në një karrige dhe këmbët i kisha të lidhura. Gishtërinjtë i lidhën me tela rryme, pastaj vendosën elektrodat në veshin tim dhe lëshuan rrymën”< shton ai.
Në bazë të rrëfimeve të të mbijetuarve dhe policisë, janë zbuluar më shumë se 10 qendra të torturave në Izium. Në këso qendrash janë shndërruar shkollat, banesat, madje edhe stacioni policor.
Autoritetet ukrainase kanë nxjerrë 447 trupa nga varreza masive në Izium. Shumica prej viktimave kishin shenja torture – duar të lidhura dhe eshtra të thyer.
I mbijetuari tjetër i torturës, Andriy Kostar, thotë se rusët tentonin të mos linin gjurmë të brutalitetit. Fillimisht ishte torturuar në oborrin e shtëpisë, por tmerrin e pa në qendrën mjekësore.
“Na kanë goditur në veshkë dhe mushkri sesa direkt në fytyrë. Më kanë bërë llom në shpinë, por kanë tentuar që të mos linin shenja nëpër trup”, ka theksuar Kostar.
Rusët ia morën pasaportën dhe letërnjoftimin ushtarak. Gjeti strehim në manastirin e qytetit.
Ai thotë se është kapur dhe torturuar edhe dy herë të tjera. Në secilën herë është kthyer në manastir.
Hapësira e kishës dhe e manastirit është bërë qendër strehimore për më shumë se 100 persona, përfshirë 40 fëmijë.
Nuk ishte dëgjuar me familjen qëkur u arrestua. Familja dhe miqtë e dinin për të vdekur.
Me një telefon satelitor, ka bërë kontaktin e parë me botën përtej Iziumit. Ka folur me motrën e shokut të tij të ngushtë.
“Thuaj atij se jam gjallë. Thuaj se jam gjallë dhe shëndosh e mirë”, ka shtuar ai.
Tani për tani, Kotsar do të qëndrojë në manastir derisa ta marrë veten fizikisht.