Botë

Ukraina sulmon me raketa dhe dronë Rusinë

Rusia ka bërë të ditur se ka shkatërruar dhjetëra raketa dhe dronë të gjuajtur në territorin e saj nga Ukraina, teksa një zyrtar raportoi për një person të vrarë dhe katër të tjerë të plagosur në një sulm.

Një përditësim fillestar nga ministria ruse e Mbrojtjes tha se 13 raketa ishin rrëzuar mbi Belgorod, shkruan BBC.

Sulmet pasojnë sulme të mëdha ruse në Ukrainë, të cilat vranë 34 persona. Në atë që Kievi e ka përshkruar si bombardimin më të madh me raketa të Rusisë deri më tani, më shumë se 160 njerëz u plagosën ndërsa Rusia goditi qytetet anembanë vendit të premten - duke përfshirë kryeqytetin Kiev, Odesa, Dnipro, Kharkiv dhe Lviv.

Në një përditësim të shtunën, kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitchsko tha se katër trupa të tjerë ishin nxjerrë nga rrënojat e një magazine që u godit nga një raketë - duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vrarëve në qytet në 13 dhe numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 34.

Të premten, Gladkov tha gjithashtu se katër persona po trajtoheshin për lëndime në Belgorod pas sulmit të së premtes nga Ukraina, duke shtuar se dhjetë shtëpi ishin dëmtuar dhe furnizimi me ujë në qytetin e Belgorodit ishte ndërprerë.

Në një deklaratë të mëvonshme në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ministria ruse e Mbrojtjes tha se 32 dronë ishin rrëzuar gjatë natës në rajonet Bryansk, Oryol, Kursk dhe Moskë.

Të premten në mbrëmje, një takim urgjent i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dënoi në mënyrë dërrmuese fushatën e rinovuar të bombardimeve masive të Rusisë në Ukrainë dhe tha se sulmet duhet të ndalen "menjëherë".

Vendet duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën thanë se goditja e infrastrukturës civile kishte shkelur rregullat ndërkombëtare të luftës.

“Në vend të paqes, Putini zgjodhi të shënojë këtë sezon festash... me një numër të paprecedentë sulmesh me dron dhe raketa”, tha përfaqësuesi i SHBA në OKB, John Kelley.