Trupat ukrainase kanë thyer pozicionet ruse në lumin Dnieper në veri-lindje të Khersonit, një qytet strategjik i kontrolluar nga Rusia në Ukrainën jugore.
Përparimi u raportua nga ushtria ruse dhe zyrtarë të instaluar nga Rusia në rajon. Ka zjarr të fortë mbrojtës rus, thonë ata, shkruan CNN-i të martën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se “ka vendbanime të reja të çliruara në disa rajone”.
Në lindje, forcat ukrainase u futën në rajonin e Luhanskut të kontrolluar nga Rusia.
Zelensky tha se “luftimet e ashpra vazhdojnë në shumë zona”, në fjalimin e tij të mbrëmjes drejtuar kombit, por ai nuk dha detaje.
Të shtunën, forcat e tij rimorën qytetin qendror të rëndësishëm të Lymanit në lindje, i shtrirë pranë kufirit rajonal të Luhanskut. Ushtria ruse e kishte kthyer Lymanin në bazë logjistike.
Forcat ruse në Luhansk thanë se trupat ukrainase kishin shtyrë disa kilometra në rajonin e Luhanskit. Raportet sugjerojnë se ukrainasit po lëvizin drejt qyteteve të kontrolluara nga Rusia, Kremenna dhe Svatove në Luhansk.
Në jug, Vladimir Saldo, udhëheqësi i instaluar nga Rusia në Kherson, tha se forcat ukrainase kishin depërtuar pranë Dudchanyt, një qytet në Dnieper rreth 30 km në jug të vijës së mëparshme të frontit. Lumi nga ukrainasit quhet Dnipro.