Botë

Ukraina me sanksione “masive” ndaj grupeve mafioze ruse

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar pako të re sanksionesh ndaj Rusisë dhe biznesmenëve të ndërlidhur me pushtetin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Zelensky ka shkruar në rrjetin social X të dielën se pakoja e parë përfshin rusë të përfshirë në financimin e aktiviteteve terroriste ruse, manipulime financiare dhe skema për shmangie të sanksioneve “që u shërbejnë interesave ruse”.

Presidenti i Ukrainës ka njoftuar se pakoja e dytë përfshin propagandues rusë, “gënjeshtrat e të cilëve ushqejnë sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës”.

“E treta zbatohet ndaj anëtarëve të grupeve mafioze ruse që kanë ndihmuar ndjeshëm në ngritjen e regjimit të Putinit dhe që vazhdojnë të jenë të lidhur me të. Ne po punojmë për t’i harmonizuar sanksionet ukrainase me rregullat e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe juridiksioneve të tjera kryesore globale”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se fokusi është që të goditen grupe të lidhura direkt me Rusinë.

“Vendime të reja nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe të Mbrojtjes do të pasojnë së shpejti”, ka thënë ai.