Botë

Ukraina mbeti në baltë, Trumpi u largua nga G7-a pa u takuar me Zelenskyn

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan ka thënë se iu desh të largohej për t'u përqendruar në konfliktin Izrael-Iran, pa folur për armëpushimin Rusi-Ukrainë.

Diplomatët ukrainas kanë mbetur të frustruar, dhe në disa raste të hidhëruar, nga refuzimi i presidentit amerikan, Donald Trump për ta bërë Ukrainën një përparësi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka fluturuar mbi 8.000 km për në konferencën e G7-s në Kanada, me shpresën për të takuar Trumpin, mirëpo presidenti amerikan është kthyer natën në shtëpi, pa një takim mes dy udhëheqësve. 

Trumpi ka thënë se duhej të përqendrohej në konfliktin Izrael-Iran.

Në një goditje të mëtejshme për Kievin, SHBA-ja i ka vënë veton një deklarate të përbashkët mbi

Ukrainën nga samiti, me arsyetimin se formulimi ishte shumë anti-rus dhe mund të kompromentonte negociatat me Vladimir Putin.

Në vend të kësaj, disa nga shprehjet rreth luftës do të përfshihen në "deklaratën e kryetarit" të kryeministrit kanadez Mark Carney.

Disa zyrtarë ukrainas kanë thënë se nuk ishin të sigurt tani nëse do të ia vlente që Zelensky të merrë pjesë në samitin e NATO-s në Hagë javën e ardhshme, pasi nuk kishte asnjë garanci se Trumpi do të merrte pjesë.

“Është një rrezik i përhershëm që Ukraina të jetë viktimë e ngjarjeve dhe e vëmendjes së shkurtër të Trumpit. Vladimir Putini e di këtë, dhe kjo mund të jetë arsyeja pse mbrëmë ndodhi një sulm kaq i madh në Ukrainë. Kishte pasur të gjitha llojet e premtimeve për këtë samit, duke përfshirë edhe ofrimin e dërgesave të reja të armëve nga SHBA-ja”, ka thënë njëri nga zyrtarët.

Zelensky planifikohej të propozonte të blinte armë amerikane në një takim të pritur me Trumpin në Kanada, duke përfshirë mbrojtje të reja ajrore. Kjo do të shënonte një ndryshim në ankesën e Trumpit se Ukraina është një shteruese për buxhetin e SHBA-së.

Me largimin e kryesuesit amerikan nga samiti i G7-s, Zelensky u ul me anëtarët e tjerë të grupit në një seancë të posaçme kushtuar Ukrainës, por qëllimi kryesor i seancës - përpjekja për të siguruar mbështetjen e Trumpit për të ushtruar presion mbi Putinin që të binte dakord për një armëpushim - ishte anuluar me largimin e papritur të presidentit amerikan. Zelensky pritej të kishte një takim kokë më kokë me Trumpin.

Ndjenja e mërzitjes, e pamundur për Ukrainën që ta shprehte publikisht për shkak të nevojës për të ruajtur mbështetjen e Trumpit, është intensifikuar nga fakti i sulmit masiv të Rusisë mbi Kievin ndërsa Zelensky po fluturonte me aeroplan për në takimin në Kanada.

Në takimin e tij me organizatorin e G7-s, kryeministrin e Kanadadë, Mark Carney, Zelensky nuk ka bërë asnjë referencë të drejtpërdrejtë për vendimin e Trumpit për të munguar. 

"Ne kemi nevojë për ndihmën e aleatëve tanë që ushtarët tanë të qëndrojnë të fortë derisa Rusia të jetë gati për negociata paqeje. Ne jemi gati për një armëpushim pa kushte”, ka deklaruar Zelensky atje duke u dukur i dëshpëruar.

Zelensky e kishte cilësuar samitin e G7-s si një nga dy shanset e arta për të ushtruar presion kolektiv perëndimor ndaj Trumpit dhe për të diskutuar planet e Ukrainës për të blerë sisteme dhe armë mbrojtëse ajrore me vlerë nga 30 deri në 50 miliardë dollarë nga Shtetet e Bashkuara si një formë garancish sigurie.

Kishte sinjale se SHBA-ja ishte e gatshme t'i shiste armët Ukrainës, por Trumpi, i cili ka folur përsëri me Putinin këtë javë, ndonjëherë argumenton se furnizimi i Ukrainës me armë vetëm sa do të zgjasë një luftë që ai është i përkushtuar ta përfundojë.

Zelensky gjithashtu kishte kërkuar miratimin e SHBA-së për një ulje të limitit të naftës nga 60 dollarë për fuçi në 45 dollarë, në një përpjekje për të ulur të ardhurat ruse nga nafta. Kufiri i çmimit të naftës që kërkon zbatim kompleks u prezantua nga vendet e G7-s dhe do të duhej të paktën mbështetja e heshtur e SHBA-së që të vendosej në mënyrë efektive.

Edhe pse kohët e fundit ka pasur një rritje të çmimit të naftës për shkak të krizës iraniane, debati rreth uljes së limitit të çmimit ishte vënë në qendër të vëmendjes për shkak të rënies së ngadaltë të çmimit të naftës. 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka pranuar se presioni i menjëhershëm për të ulur kufirin ishte zvogëluar.

Në diskutimet në samit, Trumpi të hënën ka shprehur ngurrim për të vendosur sanksione të mëtejshme, duke thënë se evropianët duhet ta “bëjnë të parët” dhe se “sanksionet na kushtojnë shumë para, miliarda e miliarda dollarë”.