Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ukraina i bën thirrje Kinës ta dënojë agresionin rus

Ukraina i ka bërë thirrje Kinës t’i bashkohet Perëndimit në dënimin e pushtimit rus. Këshilltari i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Kina mund të jetë shumë e rëndësishme në sistemin e sigurisë globale, nëse merr vendim të duhur. 

“Kina mund të jetë element i rëndësishëm në sistemin e sigurisë globale, nëse merr vendimin e duhur – të përkrah koalicionin e shteteve të civilizuara dhe ta dënojë barbarizmin e Rusisë”, ka shkruar Mykhailo Podolyak në Twitter.

Kina më herët kishte zgjedhur të abstenonte në votimin në OKB për ta dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe zyrtarët amerikanë së fundi kanë sinjalizuar se Kina ka shprehur gatishmërinë për t’i ofruar ndihmë ushtarake Rusisë.

Në një telefonatë dyorëshe me presidentin e Kinës, Xi Jiping të premten, presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka thënë se çdo ndihmë ofruar Rusisë nga Pekini do të jetë e kushtueshme.