Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se ka në plan të takojë liderin e Kinës, Xi Jinping për të diskutuar propozimet e Pekinit për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Duke folur në përvjetorin e parë të nisjes së luftës në Ukrainë, ai tha se propozimi sinjalizonte se Kina ishte e përfshirë në kërkimin e paqes.
"Unë me të vërtetë dua të besoj se Kina nuk do të furnizojë me armë Rusinë”, ka thënë Zelensky.
Plani i Kinës kërkon bisedime paqeje dhe respekt për sovranitetin kombëtar.
Megjithatë, dokumenti prej 12 pikash nuk thotë në mënyrë specifike se Rusia duhet të tërheqë trupat e saj nga Ukraina dhe dënon gjithashtu përdorimin e "sanksioneve të njëanshme", në atë që shihet si një kritikë ndaj aleatëve të Ukrainës në Perëndim.
Autoritetet kineze deri më tani nuk i janë përgjigjur publikisht thirrjes së Zelenskyt për një samit me Xi.
Ndërkohë, Rusia përshëndeti propozimet e paqes kineze.
“Ne ndajmë pikëpamjet e Pekinit”, tha në një deklaratë ministria e Jashtme në Moskë.
Në fillim të kësaj jave, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Pekini po shqyrtonte furnizimin me armë dhe municione për Rusinë – një pretendim i mohuar fuqishëm nga Pekini.
Të premten, mediat amerikane raportuan përsëri se qeveria kineze po shqyrtonte dërgimin e dronëve dhe predhave artilerie në Moskë.
Propozimet kineze pasojnë një vizitë të kryediplomatit të vendit Ëang Yi në Moskë, ku ai u takua me presidentin Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov të mërkurën.
Pas bisedimeve, Ëang u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve kineze Xinhua të ketë thënë se Pekini ishte i gatshëm të "thellonte besimin politik" dhe "të forconte koordinimin strategjik" me Moskën.