Kievi i ka ekspozuar tanket ruse në prag të gjashtëmujorit të fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, derisa Moska është tronditur pas vrasjes me makinë-bombë të së bijës së Aleksandër Duginit, i njohur si “Truri i Putinit”, për shkak të ndikimit ideologjik që ka te shefi i Kremlinit
(AP) - Ukraina ka ekspozuar në sheshin e Kievit tanket e djegura dhe transportuesit e këmbësorisë ruse, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve.
Ekspozimi i automjeteve të shkatërruara të ushtrisë ruse është bërë vetëm disa ditë përpara përvjetorit të pavarësisë së Ukrainës tri ditë më vonë, që përkon gjithashtu me gjashtëmujorin e pushtimit rus.
Në rrugën qendrore, duke kaluar përtej Sheshit “Maidan” të bllokuar nga trafiku, vendësit mund të ecin pranë makinerisë së frikshme – e përbërë nga dhjetëra automjete ushtarake të parkuara në rrugë.
Shumë qytetarë e panë shfaqjen si një aktakuzë goditëse për pushtimin rus.
“Ne jemi krenarë me ushtrinë tonë, besojmë se mund të fitojmë dhe besojmë se do të fitojmë, ndoshta nuk do të shkojë larg dhe shpresojmë se fitorja do të vijë së shpejti”, ka theksuar Iryna Bespalova, banore e Kievit.
Të shtunën mbrëma ndërkaq, e bija e ideologut nacionalist rus i njohur edhe si “Truri i Putinit" u vra kur makina e saj shpërtheu në periferi të Moskës. Dega e Komitetit Hetues për rajonin e Moskës tha se shpërthimi i së shtunës mbrëma u shkaktua nga një bombë e vendosur në makinën e Daria Duginës. 29-vjeçarja ishte e bija e Aleksander Duginit, përkrahës i shquar i ideologjisë së konceptit të “botës ruse” dhe mbështetës i zjarrtë i pushtimit rus të Ukrainës. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë.
Shpërthimi ndodhi teksa Dugina po kthehej nga një festival kulturor ku mori pjesë me të atin. Disa raporte cituan dëshmitarë të kenë theksuar se automjeti i përkiste babait të saj dhe se ai kishte vendosur në minutën e fundit të largohej me një makinë tjetër.
Edhe
Vetura që shpërthejnë dhe ekzekutime në errësirë, vala e atentateve po trondit Rusinë
Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se Rusia mund të bëjë diçka "mizore" përpara përvjetorit të pavarësisë së Ukrainës më 24 gusht.
"Për çdo javë gjatë këtyre gjashtë muajve, Rusia ka bërë të njëjtën gjë vazhdimisht: të neveritshme dhe mizore", tha Zelenskyy në video-fjalimin e tij.
Udhëheqësi ukrainas u bëri thirrje bashkatdhetarëve që t'i rezistojnë asaj që e quajti “presion i armikut”.