Një gjykatë ukrainase ka dënuar me burgim të përjetshëm një ushtar rus për vrasjen e një të burgosuri ukrainas të luftës, raporton “BBC”.
Dmitry Kurashov (27) u shpall fajtor se qëlloi për vdekje Vitalii Hodniukin (41), një ushtar ukrainas që ishte kapur rob lufte në vitin 2024.
Policia nacionale e Ukrainës tha se “raportet e ekspertëve, dëshmitë e dëshmitarëve dhe një videoincizim nga vendi i ngjarjes konfirmoi se ushtari rus qëllimisht vrau të burgosurin e luftës me urdhra të komandantëve, që kishin udhëzuar trupat të mos merrnin rob ushtarë ukrainas”.
Gjatë gjykimit disa mujor që nisi më herët këtë vit, gjykata dëgjoi se si njësiti i Kurashovit u fut në pozicionet ukrainase në rajonin e Zaporizhzhias në mëngjesin e 6 janarit të vitit 2024.
Prokuroria tha se ndonëse Hodniuk doli nga streha i paarmatosur dhe u dorëzua, Kurashov e qëlloi me AK-47 nga afërsia – duke shkelur ligjet e luftës.
Kurashov dhe pjesa tjetër e njësitit të tij u kapën më pas nga forcat ukrainase dhe u morën si të burgosur lufte.
Kurashov fillimisht u deklarua i fajshëm, por më pas u tërhoq, duke thënë se e kishte bërë këtë vetëm për të ikur nga gjykimi në shpresë se do të lirohej si i burgosur lufte. Ai insistoi se ishte një mjek rus – që më pas vdiq – që e qëlloi më pas Hodniukun.