Botë

Udhëheqësi i grusht shtetit në Madagaskar betohet si president

Michael Randrianirina

Foto: Associated Press

Kolonel Michael Randrianirina, komandant i një njësie elitare të ushtrisë, u betua të premten si presidenti i ri i Madagaskarit, pas një grushti të shpejtë shteti që rrëzoi presidentin aktual dhe e detyroi atë të largohej nga vendi dhe të fshihej.

Randrianirina mori detyrën vetëm tri ditë pasi njoftoi se forcat e armatosura po merrnin pushtetin në ishullin e madh të Oqeanit Indian, ku jetojnë rreth 30 milionë banorë, raporton AP. 

Ceremonia e betimit u zhvillua në sallën kryesore të Gjykatës së Lartë Kushtetuese, përpara nëntë gjyqtarëve. Në ceremoni morën pjesë oficerë të ushtrisë, zyrtarë civilë dhe diplomatë të huaj. 

Kjo ngjarje ndodhi pas tri javësh protestash kundër qeverisë, të cilat ishin kryesisht nga të rinjtë. 
Si pasojë, Bashkimi Afrikan pezulloi Madagaskarin nga anëtarësia. Edhe pse Kombet e Bashkuara e dënuan grushtin e shtetit si një ndryshim të paligjshëm të qeverisë, shumica e vendeve të tjera, përfshirë Francën – koloni e të cilës ishte Madagaskari, nuk kanë reaguar.

Presidenti i rrëzuar, Andry Rajoelina, është fshehur dhe vendndodhja e tij nuk dihet. Ai thuhet se iku nga vendi me një avion ushtarak francez, duke pretenduar se jeta e tij ishte në rrezik pas rebelimit të disa ushtarëve besnikë. Parlamenti votoi për shkarkimin e tij të martën, pak para se ushtria të shpallte marrjen e pushtetit.

Koloneli Randrianirina, që besohet të jetë 50 ose 51 vjeç, u bë i njohur për publikun vetëm pak ditë më parë, kur udhëhoqi rebelimin me njësinë e tij ushtarake të quajtur CAPSAT. Ai ka qenë në burg për pak kohë dy vjet më parë, pasi kishte tentuar një grusht shteti. Ai tha se pjesën më të madhe të atyre tre muajve të paraburgimit në fund të vitit 2023 dhe në fillim të 2024-ës i kaloi në një spital ushtarak.