Me dhjetëra protestues janë mbledhur në Stamboll për ta kundërshtuar vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Turqi. Në protestën, e cila është organizuar nga partia socialiste dhe nacionaliste e Vatanit, iu bë thirrje Turqisë që të shkëpusë marrëdhëniet me NATO-n teksa është kritikuar udhëtimi i Blinkenit në rajon.
Në partinë Vatan kanë thënë se sulmet në vendet e rajonit, si në Irak, Iran, Libi dhe Palestinë, janë të realizuara nga Amerika.
Blinkeni ka realizuar këtë vizitë urgjente me mision diplomatik në Turqi, për shkak të frikës se lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gazë mund të zgjerohet në Lindjen e Mesme.
Blinkeni është takuar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoan, dhe me ministrin e Jashtëm, Hakan Fidan, për të diskutuar mbi atë se çfarë mund të bëjë Turqia me ndikimin e saj për t’i lehtësuar tensionet dhe për t’i përshpejtuar ndihmat humanitare në Gazë.
Vizita e katërt e Blinkenit në tre muajt e fundit është realizuar në kohën e shqetësimeve jashtë Gazës, përfshirë Libanin, veriun e Izraelit, Detin e Kuq dhe Irakun.