Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Misioni i Blinkenit për të ndalur zgjerimin e luftës në Lindjen e Mesme

Blinken “theksoi nevojën për të parandaluar përhapjen e konfliktit ... dhe për të punuar drejt paqes më të gjerë dhe të qëndrueshme që garanton sigurinë e Izraelit dhe avancon krijimin e shtetit palestinez”, ka njoftuar Departamenti i Shtetit të SHBA-së në një deklaratë që përmbledh takimin e Blinkenit me Erdoganin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken është takuar me liderët e Turqisë të shtunën në ndalesën e tij të parë në misionin e tij më të ri diplomatik në Lindjen e Mesme teksa ka shqetësime se lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gazë mund të zgjerohet në rajon.

Blinkeni është takuar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe ministrin e jashtëm, Hakan Fidan në Stamboll.

Pak orë para takimeve të Blinkenit, Hezbollahu i përkrahur nga Irani në Liban ka ledhuar dhjetëra raketa në veri të Izraelit dhe ka deklaruar se ishte kundërpërgjigje fillestare për vrasjen e zëvendësliderit të Hamasit në Bejrut.

Sulmet e shpeshtuara ndaj anijeve komerciale në Detin e Kuq nga rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani kanë ndërprerë tregtinë ndërkombëtare dhe kanë çuar në rritjen e përpjekjeve të SHBA-së dhe aleatëve të saj për të patrulluar rrugën jetike tregtare dhe për t'iu përgjigjur kërcënimeve. Koalicioni i vendeve lëshoi atë që përbënte paralajmërimin përfundimtar për rebelët Houthi të mërkurën që të ndalonin sulmet e tyre ndaj anijeve ose do të përballeshin me veprime të mundshme ushtarake. Që nga 19 dhjetori, militantët kanë kryer disa sulme si kundërpërgjigje ndaj luftës së Izraelit kundër Hamasit.

Nga zyrtarët turq, Blinkeni ka kërkuar të paktën shqyrtimin e kontributeve të mundshme monetare për Gazën dhe pjesëmarrjen në marrëveshjet e sigurisë, kanë thënë zyrtarët amerikanë. Erdogani ka qenë kritik i ashpër ndaj Izraelit dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ndikimin që ka pasur lufta te civilët palestinezë.

Blinken “theksoi nevojën për të parandaluar përhapjen e konfliktit ... dhe për të punuar drejt paqes më të gjerë dhe të qëndrueshme që garanton sigurinë e Izraelit dhe avancon krijimin e shtetit palestinez”, ka njoftuar Departamenti i Shtetit të SHBA-së në një deklaratë që përmbledh takimin e Blinkenit me Erdoganin.

Blinken ka theksuar gjithashtu rëndësinë që SHBA-ia ia kushton ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO nga ana e Turqisë, proces i vonuar prej kohësh që turqit kanë thënë se do ta përfundojnë së shpejti. Hyrja e Suedisë në aleancë shihet si përgjigje e rëndësishme ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Një zyrtar turk ka thënë se ministri Fidan i ka thënë Blinkenit se “agresioni në rritje” i Izraelit në Gaza ishte kërcënim për rajonin dhe se bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare. Fidan ka thënë se negociatat për zgjidhje me dy shtete duhet të fillojnë “sa më shpejt të jetë e mundur”, sipas zyrtarit, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve në bisedimet private.

Fidan ka thënë se Turqia ishte në pritje të rezultatit të kërkesës së saj për të përmirësuar flotën e saj të aeroplanëve luftarakë F-16 dhe theksoi se ratifikimi i anëtarësimit të Suedisë në NATO ishte në duart e parlamentit turk.

Ndalesa e radhës e Blinkenit do të jetë Jordania, e cila përveç Izraelit, ka qenë ndalesa e tij më e shpeshtë në turneun e tij të fundit në Lindjen e Mesme.

Artikuj të ngjashëm