Muhterem Evcil ishte goditur me thikë për vdekje nga bashkëshorti i saj, në vendin e saj të punës në Stamboll, ku ai e kishte ngacmuar vazhdimisht duke shkelur një urdhër ndalimi. Një ditë më parë, autoritetet e kishin ndaluar për shkelje të urdhrit, por e kishin lënë të lirë pas marrjes në pyetje.
Më shumë se një dekadë më vonë, motra e saj beson se Evcil do të ishte ende gjallë nëse autoritetet do të kishin zbatuar ligjet për mbrojtjen e grave dhe do ta burgosnin dorasin, shkruan AP.
"Për sa kohë që drejtësia nuk vihet në vend dhe burrat janë gjithmonë në ballë, gratë në këtë vend gjithmonë do të qajnë”, ka thënë Cigdem Kuzey.
Vrasja e Evcilit në vitin 2013 u bë një thirrje për mbrojtje më të madhe për gratë në Turqi, por aktivistët thonë se vendi ka bërë pak përparim në mbrojtjen e grave nga vrasja. Ata thonë se ligjet për të mbrojtur gratë nuk zbatohen mjaftueshëm dhe abuzuesit nuk ndiqen penalisht.
Të paktën 403 gra u vranë në Turqi vitin e kaluar, shumica prej tyre nga bashkëshortët aktualë ose ish-bashkëshortët dhe burra të tjerë të afërt me to, sipas Platformës We Will Stop Femicides, një grup që gjurmon vrasjet e lidhura me gjininë dhe ofron mbështetje për viktimat e dhunës.
Edhe
Me protesta, gratë turke kërkojnë mbrojtje nga dhuna në familje
Ndërkaq këtë vit janë vrarë 71 gra në Turqi, përfshirë shtatë vetëm më 27 shkurt, numri më i madh i vrasjeve në një ditë të vetme deri më tani.
Sekretari gjeneral i WWSF-së, Fidan Ataselim, ka thënë se vrasjet po ndodhin për shkak të traditave patriarkale në shtetin me shumicë myslimane, dhe për shkak të një numri të madh të grave që po përpiqen të largohen nga marrëdhëniet e këqija.
“Gratë në Turqi duan të jetojnë më të lira dhe më të barabarta. Gratë kanë ndryshuar dhe kanë përparuar shumë në kuptimin pozitiv. Burrat nuk mund ta pranojnë këtë, dhe ata po mundohen në mënyrë të dhunshme të shtypin përparimin e grave”, ka thënë Ataselim.
Turqia ishte vendi i parë që nënshkroi dhe ratifikoi një traktat evropian për parandalimin e dhunës ndaj grave - i njohur si Konventa e Stambollit, në vitin 2011. Por presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan e tërhoqi Turqinë nga ai 10 vjet më vonë, duke shkaktuar protesta.
Edhe
Për një ditë shtatë gra në Turqi vriten nga bashkëshortët ose ish-bashkëshortët
Vendimi i tij erdhi pas presionit nga grupet islamike dhe disa zyrtarë të partisë me orientim islamik të Erdoganit. Ata kishin argumentuar se trajtimi ishte kontradiktor me vlerat konservative, shkatërron familjen tradicionale dhe e inkurajon divorcin.
Erdogani kishte deklaruar se ai besonte që burrat dhe gratë nuk ishin krijuar të barabartë bilologjikisht, dhe se prioritet i gruas duhet të jetë familja e saj dhe mëmësia.